Kodheli rizgjidhet zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli mori pjesë në punimet vjetore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Knid Ndrenika

Mimi Kodheli u rizgjodh zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s gjatë punimeve të zhvilluara në kryeqendrën e Portugalisë, Lisbonë.

Punimet vjetore nga 8-11 tetori 2021 u përqendruan me mbledhjen e Komisioneve gjatë dy ditëve të para.

Pjesëmarrësit trajtuan dhe analizuan raportet dhe rezolutat e përgatitura nga raporterët, ndërsa të ftuar ishin ekspertë të fushës si dhe krerët e politikës portugeze.

Diskutimet e këtij sesioni u përqëndruan në tema si Afganistani, Koncepti Strategjik i NATO 2030, situata post elektorale në Rusi si dhe situata në Lindjen e Mesme.

Ndërkaq, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi u shpall fituese e çmimit “ëomen for Peace and Security 2021”, i dhënë për herë të parë nga Asambleja.

Si e ftuar speciale e sesionit në Lisbonë, zonja Pelosi tha se përparësia e edukimit të grave mbetet një prej shtyllave drejtuese të punës së saj të përditshme.

Zonja Pelosi shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dalin sepse besojnë që gratë mund t’ja dalin.

Sesioni vjetor përmbylli punimet e tij me seancën plenare drejtuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO Kongresmeni Gerry Connolly.

Të ftuar veç zonjës Pelosi, ishin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Presidenti i Portugalisë si dhe Ndihmësekretarja amerikane e Shtetit për Europën dhe Azinë, Karen Donfrey.

Deputetja e Partisë Socialiste qeveritare, Kodheli është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë.