Kodheli: Rusia rrezik, kurse Shqipëria e shqiptarët garant të paqes në Ballkan (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 2)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-E shihni rrezikun e Rusisë në Ballkan? Jo thjesht për shkak të aleancave të saj të vjetra, por padyshim që Shqipëria duke mbështetur politikën e dyerve të hapura, e mbështet Malin e Zi, e mbështet shtetin maqedonas. Por, ka një element thelbësor që i mungon fqinjësisë së mirë: Shqiptarët në Malin e Zi dhe në shtetin maqedonas nuk kanë nivelin e kërkuar të të drejtave të tyre. Përse Shqipëria i mbështet këto vende? Mos vallë për shkak të rrezikut nga Rusia?

-Mimi Kodheli: “Shqipëria është më shumë se sa e interesuar, më shumë se kushdo i interesuar të ketë mbarëvajtje të punëve ballkanike.
Këtë interes politika e jashtme shqiptare e ka demonstruar në vite dhe absolutisht Shqipëria është ndoshta faktori më stabilizues në rajon. Flas për faktorin shqiptar.
Sigurisht që Shqipëria ka interesa përtej kufijve të saj, për aq kohë sa shteti tashmë i pavarur i Republikës së Kosovës është një shtet shqiptar.
Ka pjesë të qenësishme dhe të rëndësishme të ekzistencës së shqiptarëve, ashtu siç edhe ju e përmendët në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
Por, stabiliteti i këtyre dy vendeve të fundit është absolutisht shumë i rëndësishëm dhe rruga e tranzicionit për të njohur më shumë të drejta minoriteteve të këtyre dy vendeve do të ndihmohet pa as më të voglin dyshim nga fakti që Mali i Zi, tashmë ka marrë ftesën përfundimtare për të qenë vend anëtar i NATO-s dhe pritet vetëm ratifikimi në të gjitha parlamentet e vendeve NATO, të anëtarësimit të tij.
Dhe, Maqedonia është në rrugën që duhet. Kjo gjë do t’i ndihmojë këto vende të demokratizohen më tepër dhe për pasojë do t’i ndihmojë këto vende të rrisin mundësinë e të qenit stabël edhe nëpërmjet rritjes së të drejtave të shqiptarëve në këto vende.
Ndaj përveç fqinjësisë së mirë, fakti që këto vende një ditë të afërt shpresoj do të jenë anëtare me të drejta të plota të NATO-s, veçse favorizon shqiptarët kudo që janë”.

-Pra, po kuptoj që me hyrjen e këtyre dy vendeve në NATO, shqiptarët do të kenë të drejta më të mëdha. Mirëpo kjo logjikë nuk shkon njejtas me atë që shteti maqedonas pasi firmosi marrëveshjen për Stabilizim-Asociimit, nuk i ndryshoi të drejtat e shqiptarëve, madje i kufizoi ato. Natyrisht që kjo është një çështje politike, pra do të thotë që kryeministri Edi Rama kishte parasysh pikërisht këto zhvillime kur la të hapur një mundësi ose së paku dyshime si një mundësi për të mos mbështetur shtetin maqedonas në rast se nuk i plotësonte të gjitha detyrimet e tij ndaj shqiptarëve?

-Mimi Kodheli: “Shqipëria, qeveria shqiptare ka qenë shumë e kujdesshme në të gjitha qëndrimet që ka mbajtur në raport me fqinjët.
Vendet fqinje ashtu si edhe Shqipëria, janë vende me demokraci të reja dhe janë vende në procese zhvillimore të rëndësishme.
Kjo do të thotë që nga ana tjetër në Ballkan kanë ndodhur ngjarje, sidomos në këto 3 vitet e fundit, që më parë, por edhe në 20 vitet e fundit nuk janë menduar që do të ndodhnin.
Shikoni Ballkanin e para 25 viteve. Ka qenë në shumicë në luftë. Sot Ballkani është shumë më i qetë, transmeton shumë më tepër siguri. Dhe kjo falë politikës së ndjekur nga të gjitha vendet, duke vënë Shqipërinë në krye të tabelës.
Ne nuk kemi menduar vite më përpara që një Kryeministër shqiptar mund të vizitonte Beogradin, gjë që ndodhi mbas 60 e kusur viteve.
Ne nuk kemi menduar deri dje, e kemi shpresuar shumë por jo domosdoshmërisht e kemi parë këtë kaq të afërt, që Kosova do të gëzonte jo vetëm këtë pavarësi dhe këto të drejta dhe këto anëtarësime që Kosova po merr njëra pas tjetrës.
Por, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është sot një forcë, e cila po avancon drejt transformimit të saj drejt një forcë mbrojtëse.
Zhvillimet në Maqedoni kanë qenë zhvillime le të themi shqetësuese për vetë Maqedoninë, për vetë pjesën shqiptare, për vetë rajonin.
Por, kjo është pjesë e zhvillimit dhe ne duhet të jemi këtu për ta mbështetur demokracinë dhe zhvillimin duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e rëndësishme e jetës maqedonase, e shoqërisë maqedonase, e demokracisë së Maqedonisë ndikohet dhe ka zënë kapitull për shkak të ekzistencës së shqiptarëve.
Të gjitha këto janë zhvillime, të cilat Shqipëria dhe qeveria shqiptare i ndjek me vëmendje.
E rëndësishme është që ajo çka ne transmetojmë dhe transportojmë tek të tjerët, është siguria dhe stabiliteti.
Dhe, kjo është një gjë që vlerësohet jo vetëm nga kanceleritë evropiane, vlerësohet nga partnerët tanë strategjikë SHBA, por duhet të vlerësohet më shumë nga vetë ne brenda shqipërisë!
Sepse, shpesh herë ne e marrim si një gjë krejt normale (“for granted” thuhet në anglisht) që po, kështu duhet të jetë. Siguria, qetësia që ne gëzojmë është sepse kështu duhet të jetë.
Në fakt kështu është, por ka disa njerëz, ka disa institucione mbas kësaj sigurie që ne transportojmë, që e bën këtë të mundur.
Dhe sigurisht kjo është qeveria shqiptare, ky është Edi Rama, kjo është Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, kjo është Ministria e Mbrojtjes Shqiptare, kjo është Ministria e Punëve të Brendshme, kjo është Ministria e Drejtësisë, kjo është e gjithë qeveria, e kulturës, e cila transmeton në rajon këtë siguri, për të cilën folëm. Që, është sociale, që është ushtarake, që është territoriale e kështu me radhë”.

(vijon)