Kolec Çefa, studiuesi i njohur tani prehet në varret e familjes

U kthye përgjithmonë nga Tirana, në Shkodër, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Kolec Çefa, autor i disa librave e i një mori studimesh e artikujsh, botuar në mjetet e komunikimit të Kishë katolike si dhe në shtypin e kohës, posaçërisht në gazetën “Shqiptarja”.
 

Nga Radio Vatikani

Bashkësia katolike e Shkodrës përcolli në banesën e fundme Kolec Çefën, që u rikthye përgjithnjë nga Tirana, në vendlindje. Pranë familjarëve, në Varrezën e Rrëmajit.

Vëlla i poetit të mirënjohur Anton Çefa, lindi në Shkodër, më 26 shkurt 1937, në një familje  katolike shkodrane, që banonte në lagjen Arra e Madhe. Të dy vëllezërit ishin studentë të shkëlqyer, studiues dhe krijues të talentuar, por mbi të gjitha, njerëz të vërtetë, që zgjodhën rrugën më të vështirë: atë të heshtjes  e të harresës. Për të ruajtur më të kushtueshmen: dinjitetin. Në vitet e para pas ’90-ës pati fatin të jetonte kohët e “ringjalljes”, si sekretar e redaktor i veprave të imzot Zef Simonit, në kryeipeshkvinë katolike të Shkodrës.   Ndërsa Antoni, autor i dy librave me poezi, “Dritarja e një britme” dhe “Heshtja ka tingull guri” nga shtëpia botuese Camaj-Pipa 2002 u largua nga Shkodra – në Amerikë e aktualisht, editor i Federatës Panshqiptare “VATRA” jeton e punon në New York me sytë, mendjen e zemrën nga oqeani e deti … Koleci u nis për në Tiranë! Një pendë më pak për Shkodrën e pendave të arta!

Koleci u lidh që fëmijë me klerin katolik, lidhje që nuk e shkëputi as në vitet e zeza të persekutimit. Mësimet e para i kreu në shkollën shtatëvjeçare që e kishte fare pranë shtëpisë, për t’i vijuar në atë pedagogjike. Si e pati kryer me rezultate shumë të mira, nisi të endet nga katundi në katund, si mësues kryesisht i lëndëve humanitare. Ishte kalvari i “të prekunve”. E në rrugën e Kalvarit shtegtonte edhe gjatë studimeve me korrespondencë pranë Institutit Pedagogjik në Shkodër. Kur u hapën rishtas dyert e  kishave katolike, ishte i pari që, duke dalë nga klandestiniteti, u vu menjëherë në shërbim të Kishës.

Puna e gjatë përkrah imzot Zef Simonit, si sekretar i tij në argjipeshkvinë e Shkodrës i krijoi mundësitë të shfletonte e të studionte dokumente të panjohura, të shpëtuara prej arkiveve kishtare. Luajti një rol të dorës së parë në botimin e librit “Martirizimi i Kishës Katolike, 1944-1990”, Shkodër, 93, ku përfshihet edhe portreti i dom Ndre Zadejës, fryt i pendës së tij. Mori në dorë, si redaktor, një pjesë të mirë të veprave të meshtarëve, botuar gjatë këtyre viteve. Posaçërisht, veprat e atë Donat Kurtit.

Nuk e shkëputi kurrë lidhjen me Kishën, nisur që heret në përpjekjen për të mbledhur iskrat e mbetura pa botuar nga autorët më në zë të saj , duke u lidhur sidomos me Atë Viktor Volajn, redaktorin e veprave të Fishtës, sepse e adhuronte Fishtën. Ndaj Atij ia kushtoi edhe librin e titulluar “Nëpër gjurmët e Fishtës”(Shtëpia Botuese Françeskane, Shkodër, 2003).

Me botimet e shumta kushtuar kryeveprave të klerit katolik, u bë sakaq penda më e njohur në lëmin e studimit të autorëve të ndaluar gjatë 50- vjetëve të regjimit komunist. Nuk ia përtoi të hyjë edhe në polemika, ndërsa vijon sulmi kundër trashëgimisë së tyre letrare. Botoi një vepër edhe për Luigj Gurakuqin, titulluar “Luigj Gurakuqi në një optikë të re”. Shkrimet e tjera, që mbetën të përhapura në revista e gazeta, mund të përmblidhen në një libër shumëfaqesh.

Që të mos harrohet kurrë kontributi i tij dhënë Kishës Katolike e asaj kulture për të cilën krenohet Shkodra, ku penda të reja të talentuara ecin në gjurmët e pashlyera të paraardhësve! Tashti që Koleci fle në paqe në Rrëmaj, për të flet vepra e tij, që e kemi të gjallë mes nesh!

One Response to “Kolec Çefa, studiuesi i njohur tani prehet në varret e familjes”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti, ph.d. says:

    Falenderimet e mia Radio Vatikanit per kete emisyon sepse Kolec Çefa sikur u harue krejtesisht. Asnji shkrim, asnji fjale, asnji perkujtim pe njeriun, per punen e tij te madhe afer 50 vjeçare. Kjo na turpenon. Kjo nu duhet te perseritet ne skenen tone shqiptare.
    Lexova me vemendje jete-shkrimin e Kolec Çefes dhe mesova macft te verteta, sidomos kushtimin e tij te pa kufi ndaj çeshtjes kapitale te mendimit te tij: binomit fe e atdhe. KJo “dogme” e mire-rruejtun nga shumica e popullsise katolike apostolike romane shqiptare ka qene shtylla e mendimit per shekuj me radhe die fryemezimi i pa shterrshem i atdhedashunise se kesaj popullsie. Nuk duhet te harrojme. Duhet te njohim meriten dhe te forcojme kujtimin e respektin tone per kete ndjesi sublime.
    KOLEC CEFA PUSHOFTE NE PAQE. KOLEC: KE SHUME MIQ KETU NE AMERIKE QE NUK TE HARROJNE..!
    Familjes CEFA ngushelimet e mia.

Comment

*