Kolorado afër nivelit kritik, nisin reduktimet e ujit në disa shtete të SHBA-së dhe Meksikë

Denver (Kolorado, SHBA), 17 gusht 2022 – Disa shtete të SHBA-së dhe Meksika do të detyrohen të reduktojnë konsumin e ujit për të shmangur efektet “katastrofike” në lumin Kolorado, pasi rajoni po përballet me një thatësirë të paprecedentë, shkruan The Guardian.

Pas më shumë se dy dekadash të reshjeve të pakta, niveli i ujit të lumit Kolorado  – jetik për shtetet perëndimore të SHBA-së – ka rënë në një nivel alarmues. Ciklet e thatësirës po përkeqësohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht nga paralajmërimet prej disa vitesh, shtetet që varen nga lumi nuk e kanë ulur mjaftueshëm konsumin e ujit, kështu që autoritetet federale janë detyruar të vendosin kufizime, ditën e djeshme. Arizona, deri në vitin 2023 do të reduktojë ujin me 21%, Nevada me 8% dhe Meksika me 7%.

Kalifornia, e cila është më e varura nga uji i lumit Kolorado dhe është shteti më i populluar në SHBA, nuk do të preket nga këto reduktime vitin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, janë marrë masa në nivel lokal edhe në qytetet që marrin ujin nga lumi, si për shembull në Los Angeles ku u vendosën kufizime për ujitjen e kopshteve.

Lumi Kolorado e ka burimin në Malet Shkëmbore dhe rrjedh nëpër Kolorado, Utah, Arizona, Nevada,  Kaliforni dhe Meksikën veriore, ku derdhet në det.

Lumi ushqehet kryesisht nga bora që grumbullohet në lartësi të mëdha gjatë dimrit dhe shkrihet gradualisht në muajt e ngrohtë. Por, për shkak të ndryshimeve klimatike, reshjet janë ulur dhe bora po shkrihet më shpejt, kështuqë ulet vëllimi i ujit në lumë, nga i cili furnizohen miliona njerëz.

Shtetet perëndimore të SHBA-së po përballen me thatësirën më të madhe prej më shumë se 1000 vjetësh. Thatësira e ka shtuar rrezikun nga zjarret, të cilat po bëhen gjithnjë e më shkatërruese për pyjet.

(r.m.)