Kom. i Venecias: GJK nuk ka kompetencë shqyrtimin e dekretit për anullimin e vendoreve të 30 qershorit 2019

Gjykata Kushtetuese shqiptare nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore: në këtë për-fundim kanë arritur ekspertët e Komisionit të Venecias në projekt opinionin e përgatitur në përgjigje të kërkesës së paraqitur në muajin korrik nga vetë Gjykata Kushtetuese, të cilin Zëri i Amerikës e ka parë. Projekt opinioni do t’i nënshtrohet diskutimeve në seancë plenare ditën e nesërme kur pritet të miratohet dhe teksti përfundimtar.

Çështja në Gjykatën Kushtetuese shqiptare u ngrit nga Shoqata e bashkive të vendit. Pas seancës së zhvilluar më 23 Qershor, ku u dëgjuan pretendimet e të gjitha palëve anëtarët e Gjykatës vendosën që t’i drejtohen Komisionit të Venecias, me 3 pyetje.

Pyetja e parë ishte nëse “mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?”. Kjo pyetje lidhet me pretendimet e ndryshme të ngritura mbi kompetencën e Gjykatës për këtë çështje. Neni për të cilin kërkohet interpretim saktëson në pikën 1, shkronja “e” se Gjykata Kushtetuese vendos për “çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre”.

Pikërisht këtij neni i është referuar ndër të tjera dhe Shoqata e Bashkive. Siç shpjegon në shkresën dërguar Venecias, vetë Gjykata Kushtetuese, ky moment është përfshirë në Kushtetutë pas ndërhyrjes së bërë në kuadër të reformës së dekriminalizimit, për t’i njohur të drejtën e ankimimit personit që preket, duke qenë se bëhet fjalë për një kufizim të një të drejte kushtetuese.

Ekspertët e Venecias, pas një analize të gjatë juridike arrijnë në përfundimin se “kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor”.

balkanweb

Comment

*