Komandanti i KFOR-it në Jarinje e Bërnjak: Jemi këtu për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes

Prishtinë, 3 tetor 2021 – Komandanti i KFOR-it, Gjeneral-majori Franco Federici, ka vizituar sot njësitë e KFOR-it të vendosura në pikat e kalimit kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe në Bërnjak, për të mbështetur marrëveshjen midis Kosovës e Serbisë për targat e automjeteve.

Gjenerali Federici ka thënë se njësitet e KFOR-it janë plotësisht të gatshme për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në mbështetje të stabilitetit lokal dhe rajonal.

“I falënderoj institucionet e Kosovës, kryetarët e komunave veriore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në de-eskalimin e situatës”, citohet të ketë thënë Federici.

Ai ka theksuar se misioni i KFOR-it luan një rol themelor për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe se NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“NATO mbështet fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës si rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe stabilitetit për rajonin”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

KFOR-i do të jetë i pranishëm dy javë në pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë, në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes për targat e automjeteve, e cila ka për qëllim shtendosjen e situatës në pjesën veriore  të Kosovës.

Marrëveshja është arritur të enjten në Bruksel, me ndërmjetësmin e Bashkimit Evropian dhe  me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)