Komisari i policisë Musa Skura u përcoll për në banesën e fundit me nderime si “Dëshmor i Atdheut”

I mbuluar me Flamurin Kuq e Zi dhe nën ekzekutimin e Himnit Kombëtar, trupi i Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, prehet që dje në varrezat e Dëshmore të Kombit, në Tiranë.
Para varrimit, në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, u zhvilluan homazhe në nderim të tij.
Nën muzikën funebre, përfaqësues të lartë të Shtetit dhe Qeverisë shqiptare, drejtues dhe punonjës të Policisë së Shtetit, kolegë dhe miq të të ndjerit, të afërm dhe bashkëqytetarë të tij, i kanë bërë nderimet e fundit efektivit, i cili dha jetën në shërbim të komunitetit.
“Komisar Musa Skura ishte njëri nga komisarët më të shkëlqyer, më trima, më të vendosur të Policisë së Shtetit. Ai ishte një qytetar shembullor, një prind i shkëlqyer dhe me rënien e tij në krye të detyrës, lë një boshllëk të madh në familjen e tij, në zemrat e miqve të tij, efektivëve të Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësve dhe qytetarëve të vendit. Shembulli, sakrifica sublime e komisar Musa Skurës, burrëria e tij, guximi i madh do të jenë një frymëzim, sikundër edhe qindra shokëve të tjerë të tij, që ranë për tu bërë të pavdekshëm për të garantuar jetën, pronën, rendin dhe qetësinë”- u shpreh Kryeministri i Shqipërisë Z. Sali Berisha pas zhvillimit të homazheve në nderim të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, kryen homazhe Kryetarja e Kuvendit Zj. Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, Ministri i Mbrojtjes Z. Arben Imami, Avokati i Popullit Z. Igli Totozani, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të ICITAP, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të artit, kolegë, familjarë dhe të afërmit, etj.
Pas kryerjes së ceremonisë së homazheve trupi i Dëshmorit të Atdheut u përcoll në drejtim të varrezave të Dëshmorëve të Kombit.
Statusi i Dëshmorit të Atdheut të Musa Skurës, iu dorëzua djalit të të ndjerit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, gjatë zhvillimit të ceremonisë së varrimit.
“Komisar Musa Skura është shquar për cilësitë dhe virtytet e njeriut të ndershëm, me plot kurajë dhe shpirt sakrifice, që në çdo moment të karrierës së tij punoi me përkushtim ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe profesionalizëm në shërbim të qytetarëve, duke fituar dhe gëzuar mirënjohjen dhe respektin e të gjithëve”- tha në fjalën e rastit Drejtori i Policisë i Qarkut Dibër Drejtues i Parë Izet Hysa.
Duke iu referuar karrierës 28 vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, Z. Hysa theksoi se në asnjë moment ai nuk reshti së punuari për më shumë rend e siguri, deri sa dora e krimit e goditi rëndë atë, pikërisht në ditëlindjen e 100 të Policisë së Shtetit, duke e kthyer në simbol të gjithë sakrificës së brezave në organizatën e policisë për një Shqipëri Europiane, për një shtet ku sundon ligji, rregulli dhe liria.
Ndër të tjera Z. Hysa u shpreh se kurajoja, forca dhe sakrifica e Dëshmorit të Atdheut Musa Skura do të inspirojë gjeneratat në Policinë e Shtetit në përpjekjet për mbrojtjen e rendit dhe të ligjit dhe se vepra e Tij i bashkohet veprës së qindra kolegëve të tjerë, që ashtu si ai vunë jetën në themelet e shtetit ligjor.
“Ajo dëshmon më së miri sakrificat, kontributin, punën e palodhur, përkushtimin dhe vullnetin e palëkundur të mijëra e mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit, që nga ditët e para të krijimit të shtetit shqiptar e deri më sot, në përpjekjet për të bërë jetën e qytetarëve më të sigurt”- vijoi Z. Hysa.
“Na la krenarinë” – këto ishin fjalët e vëllait të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, para se trupi i tij të vendosej përgjithmonë në banesën e fundit.
Gjithashtu vëllai i Dëshmorit të Atdheut falënderoi të gjithë strukturat shtetërore dhe punën e bluzave të bardha për përpjekjet që bënë për të shpëtuar jetën e vëllait të Tij Musait, i cili mbeti i plagosur në një aksion policor për goditjen e një aktiviteti kriminal më datë 13.01.2012.
Pranë varrit të Dëshmorit të Atdheut Musa Skura vendosën kurora Ministri i Brendshëm Z. Flamur Noka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj, familjarë dhe të afër.
Trupi i Dëshmorit të Atdheut Musa Skura, i cili ndërroi jetë në një spital të Foggia Itali, ku ishte dërguar për një kurim më të specializuar, mbërriti sot rreth orës 10.00 në Portin e Durrësit, ku më pas i shoqëruar një eskortë policie u vendos në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku u kryen edhe homazhet.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, bashkëshortes, tre djemve dhe gjithë familjarëve të dëshmorit të Atdheut Musa Skura dhe i siguron se do të jetë gjithmonë krah tyre, duke u përpjekur t’ua lehtësojmë sadopak dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut më të dashur, për të cilin respekti dhe mirënjohja e gjithë shoqërisë do jetë e përjetshme.