Komisioni Europian: Të plotësohet KQZ-ja

KE me pikëpamje të njejta me SHBA-në për çështjet e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit – Ambasadori Etore Sekui tha pas takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të marrë vendime me katër anëtarë

 

Denion Ndrenika

Komisioni Europian përsëriti nevojën e plotësimit me të shtatë anëtarët të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si domosdoshmëri për mbarëvajtjen e procesit të përgjithshëm të 23 qershorit.
Ambasadori Etore Sekui theksoi se mbetja me katër anëtarë, nuk lejon vendimmarrjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas zotit Sekui, qëndrimet e Brukselit janë të njejta me të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Sekui shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte temë e bisedimeve me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama: “Sigurisht që biseduam edhe për çështjen e KQZ-së, mes çështjeve të tjera. Kam ndjekur dhe deklaratën e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu dhe të shefes së OSBE/ODIHR-it, Koni MekKormëk dhe pozicioni ynë është i njohur. KQZ për të marrë vendime duhet të ketë më shumë se 4 anëtarë. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë së bashku opinionet dhe vizionet e tyre”.
Zoti Sekui theksoi se takimi me kryesocialistin Rama ishte pjesë e kontakteve të vazhdueshme si edhe me zyrtarë të tjerë në Shqipëri në funksionin e ambasadorit të Komisionit Europian. “Arsyeja, -shtoi zoti Sekuq, – është për të shkëmbyer pikëpamjet tona lidhur me procesin zgjedhor”.
Tri anëtarë nga partitë opozitare dhanë dorëheqjen kur Kuvendi shkarkoi një tjetër që i përkiste Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi u largua nga qeveria për në opozitë. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë qeveritare dhe opozita duhet të kenë nga tri anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kryetari i propozuar nga shumica në pushtet, por i zgjedhur me mirëkuptim.
Kodi Zgjedhor thotë që partitë më të mëdha në qeveri dhe në opozitë përfaqësohen me nga dy anëtarë në KQZ kurse partitë e dyta më të mëdha në qeveri dhe në opozitë me nga një anëtar. Meqë LSI la qeverinë, raporti në KQZ kalonte në të mirë të opozitës 3-4, gjë që për qeverinë me arsyetimin e përgjegjëses për procesin zgejdhor, nuk ishte e pranueshme.
Ish-anëtari Ilirjan Muho nisi të shkarkohej fillimisht me procedurën e formulës së raportit 4-3 në KQZ, por votimi në Kuvend u krye për një largim të tij si prokuror në Fier disa vite më parë nga ish-presidenti Alfred Moisiu me propozimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Shkarkimi i zotit Muho u kritikua gjerësisht nga opozita dhe ndërkombëtarët. Megjithatë, problemi kryesor ishte se kalimi i LSI-së në opozitë i jepte epërsi vetë opozitës në të gjitha komisionet e niveleve të tjera si dhe grupet e numërimit të votave. Sipas Kodit Zgjedhor, këto komisione ndahn 50 për qind me 1 anëtar më shumë partitë opozitare dhe 50 për qind me 1 anëtar më shumë qeveritare. Mirëpo, shkuarja e LSI-së opozitë i krijonte qeverisë 50 për qind të komisioneve dhe grupeve të numërimit në raportin 2-5 dhe në 50 për qind të tjera në raportin 3-4, pra pa asnjë kontroll. Me një vendim të KQZ-së, nisi zëvendësimi i anëtarëve të LSI-së në këto struktura pa ndeshur në kundërshti, përveç rastit të KQZ-së. Me këtë përbërje të KQZ-së, pamundësia e vendimmarrjes i jep rrufë shqyrtimit të çdo çështje zgjedhore (që ka nevojë për vendimmarje) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha kujtoi se meqë Kuvendi nuk i ka pranuar ende dorëheqjet e komisionerëve opozitarë, kishte mundësi rikthimi të tyre në detyrë. Zoti Berisha garantoi gjithashtu që nëse opozita do të paraqiste komisionerë të tjerë, ishte gati të kërkonte mbledhjen të jashtëzakonshme të Kuvendit për t’i votuar ata. garancitë kryeministri i dha në takimin me Komitetin e Vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Opozita nuk pranon të paraqesë anëtarë të rinj, duke u mbështetur në procedurën sipas saj të kundraligjshme, të zëvendësimit të zotit Muho nga Klement Zguri, një anëtar për 16 vjet i KQZ-së i propozuar nga Partia Republikane, e cila është e dyta në koalicionin qeveritar pas largimit të LSI-së.