Komisioni i Rithemelimit të PD-së: Mbledhja e Këshillit Kombëtar e thirrur nga Basha është nul

Tiranë, 12 dhjetor 2021 – Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i cili u konstitua të shtunën, në mbledhjen e Kuvendit të partisë të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, u bëri thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar të partisë që ta bojkotojnë mbledhjen e thirrur nga Lulzim Basha.

Komisioni, në një deklaratë për publikun, e cilëson “nul dhe të paligjshme” mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur nga Basha.

Në deklaratë kujtohet se Basha u shkarkua nga pozita e kryetarit të partisë me votat e 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar që u mbajt në stadiumin “Air Albania”.

DEKLARATA

Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar!

Dje me 4446 vota Kuvendi Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit për shkelje të rënda statutore, si dhe konstatoi paligjshmërinë e pjesës më të madhe të kryesisë si të zgjedhur në dhunim flagrant me statutin e PD.

Gjithashtu, ju bëjmë me dije se Kuvendi Kombëtar ka mandatuar Komisionin e Rithemelimit për të përmbushur vakuumin e krijuar deri në zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re!

Për sa më lart ju njoftojmë se mbledhja e KK e thirrur nga deputeti Lulzim Basha është nul dhe e paligjshme.

Ju bëjmë thirrje të bojkotoni mbledhjen dhe mos bëheni pjese e paligjshmërisë!

Ju ftojmë gjithashtu të mos bëheni pjese e përçarjes dhe përjashtimeve nga PD për karrigen e thyer të Lulzim Bashës.

Sot është momenti të bashkohemi duke dëgjuar zërin dhe vullnetin e demokratëve!

Komisioni i Rithemelimit

(r.m.)

Comment

*