Kompozitori i shquar shqiptar, Thoma Simaku, turne ligjëratash dhe koncerte në SHBA

Thoma Simaku ka përfunduar rezidencën e tij në Kolegjin Itaca të Nju Jorkut, si pjesë e çmimit të tij “Visiting Professor of Composition” Karel Husa 2022-23. Siç përshkruhet nga Kolegji Itaca, ky është një titull që i jepet çdo vit një figure kryesore të kompozicionit muzikor sot. Profesorët vizitues vijnë në Kolegjin Itaca gjatë vitit akademik për të ligjëruar mbi muzikën e tyre dhe çështjet që lidhen me kompozimin bashkëkohor. Çmimi jepet për nder të kompozitorit dhe dirigjentit amerikan Karel Husa – fitues i çmimit Grawemeyer dhe Pulitzer për muzikë.

Përfituesit më të fundit të këtij çmimi përfshijnë profesorë të shquar të kompozicionit nga Universiteti i Harvardit, Universiteti i Çikagos dhe Konservatori i Parisit. Në Kolegjin Ithaca, Thoma Simaku mbajti dy ligjërata mbi veprat e tij të fundit, si dhe master-class për studentët e degës së kompozicionit. Profesori i Itakës Kyle Armburst, anëtar i Ansamblit Bashkëkohor Ndërkombëtar Nju Jork, interpretoi Soliloquy III për Violë të Simakut më 12 prill 2023. Ndërsa profesori Eric Troiano – themelues i Kuartetit të Saksofonëve Viridian – dha premierën amerikane të Soliloqui VI për Soprano Saksofon në të njëjtin koncert. Gjatë vizitës së tij në SHBA, profesor Simaku mbajti leksione, master-klasa dhe prezantoi veprat e tij për publikun para koncerteve në Frost School of Music Universiteti i Miamit, Florida International University, Eastman School of Music University of Rochester, University of North Texas dhe University of Illinois. Në këto ligjërata, Simaku u ndal në Ciklin e tij të Soliloquy, me të cilin është i angazhuar tash e 20 vjet, duke përfshirë veprën e tij të vlerësuar me çmimin BASCA Soliloquy V- Flauto Acerbo dhe veprën e tij më të fundit Soliloquy VII për klarinetë dhe piano rezonante, premiera botërore e së cilës u dha në Festivalin e Muzikës Bashkëkohore Huddersfield në nëntor 2022, interpretuar nga Jérôme Comte – solist i Ansamblit Intercontemporain.

Një fragment nga kjo pjesë mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme: