Komuna arbëreshe Frascineto i jep Metës titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeg”

Kryekomunarin e Frascinetos në Italinë jugore, Angelo Catapano, presidenti Ilir Meta e falenderoi duke i premtuar se titulli e motivon më shumë në angazhimin e tij për të forcuar lidhjet me arbëreshët

Knid Ndrenika

Komuna e arbëershëve në Kalabri, Frascineto, i ndau Presidentit Ilir Meta, titullin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeg”.

“Për kontributin e palodhur për forcimin e lidhjeve mes Komunitetit Arbëresh dhe Shqipërisë. Me praninë e tij të shpeshtë mes arbëreshëve, përforcon lidhjen e lashtë vllazërore midis shqiptarëve këtej dhe përtej detit, duke e bërë aktuale vlerën e përbashkët të ‘gjakut tonë të shprishur”, – ishte motivacioni për titullimin.

Kryekomunarin e Frascinetos në Italinë jugore, Angelo Catapano, zoti Meta e falenderoi duke i premtuar se titulli e motivon më shumë në angazhimin e tij për të forcuar lidhjet me arbëreshët.

“Duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe “Moti i Madh”, në UNESCO dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë”, – tha presidenti.

Sipas tij, duhet të punohet shumë për të forcuar marrëdhëniet ekonomike e turistike midis Shqipërisë dhe Italisë, veçanërisht me fshatrat arbëreshe.

Ai shtoi që kjo të bëhet ku janë mundësitë të njihet jo vetëm historia dhe kultura arbëreshe, por edhe kuzhinaria e tyre, si dhe për dërgimin dhe shkëmbimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë e arbëreshë në shkollat e mesme dhe universitete.

“Filluam një diskutim, pas vizitës sime në vitin 2018, për mundësinë e një linje ajrore midis Lamezia Terme dhe Tiranës, që do të ndihmonte shumë në shtimin e numrit të vizitorëve nga të dyja vendet dhe veçanërisht të arbëreshëve në Shqipëri, por që ende nuk ka arritur një zgjidhje. Shpresoj të mund të vendoset edhe linja direkt me Kalabrinë. Personalisht do të përpiqem për ta arritur këtë gjë”-tha ai.

Presidenti theksoi se arbëreshëve, Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, si projektimi i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar.

“Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike”-tha presidenti.