Komunitet i vogël, vota vendimtare

E kaluara tragjike na jep më shumë arsye për të marrë pjesë në demokracinë amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Nga takimi me përfaqësues të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump, në mars 2020.

Në fillim të këtij viti, në Michigan, një grup shqiptaro-amerikanësh kontaktuan fushatën në shtetin e tyre për rizgjedhjen e Presidentit Donald Trump dhe ofruan ndihmën e tyre. Nga takimet u fitua edhe një pjesëmarrje në një takim me zv-Presidentin Mike Pence, që u shfrytëzua për të lobuar kundër ndarjes së Kosovës dhe për nevojën e dënimit të krimeve serbe të luftës.
Kam shkruar për këto përpjekje të komunitetit shqiptar këtu: http://illyriapress.com/shqiptaro-amerikanet-faktor-per-rizgjedhjen-e-presidentit-trump-ne-michigan-lobojne-kunder-ndarjes-se-kosoves/ (E ilustruar me fotografi nga një prej takimeve).
Këtë muaj, një grup aktivistësh të njohur shqiptaro-amerikanë në SHBA u bashkuan për të mbështetur publikisht kandidatin demokrat Joe Biden për President. Disa prej tyre janë të angazhuar në instanca të ndryshme të fushatës së tij, të tjerë kanë dekada punë patriotike në këtë komunitet, e disa i përkasin një brezi më të ri, të rritur e arsimuar në SHBA: http://illyriapress.com/shqiptaro-amerikanet-per-joe-biden-nje-thirrje-komunitetit-tone/
Këto grupe sigurisht nuk përfaqësojnë të gjithë komunitetin dhe madje nuk përfshijnë as të gjithë individët nga komuniteti shqiptaro-amerikan që janë angazhuar në fushatën e zgjedhjeve presidenciale. Por ata padyshim janë një lloj pararoje në pjesëmarrjen shqiptare në politikë këtu në SHBA.
Dalja në publik e këtyre grupeve është duartrokitur por edhe është trajtuar me cinizëm, nga kushdo që i përket grupit kundërshtar apo nga kritikë që shohin me mosbesim apo përçmim këtë lloj angazhimi. Disa e quajnë të kotë përfshirjen shqiptare, një lloj pike uji në oqeanin e votës amerikane.
Unë mendoj se angazhimi duhet përkrahur. Pavarësisht se kë kandidat mbështesin, shqiptaro-amerikanët e përfshirë në fushatën dhe debatet zgjedhore në SHBA janë duke marrë pjesë në demokracinë e madhe amerikane.
Shqiptarët në SHBA, vetë personalisht apo prindërit e tyre kanë ardhur këtu duke lënë pas një botë ku e drejta e votës dhe e pjesëmarrjes në demokraci u është mohuar. Disave prej sistemit komunist, të tjerëve për shkak të kombësisë së tyre.
Ne kemi më shumë arsye se amerikanët që të angazhohemi në politikë. Ndryshe nga shumica e amerikanëve, ne e njohim drejtpërdrejt jetën në një regjim jodemokratik. Ne kemi parë edhe përçundimin e demokracisë nga një klasë politike e ndyrë me korrupsion dhe e përkushtuar ndaj vjedhjes apo manipulimit të votës.
Komuniteti ynë është i vogël, por për shkak të shpërndarjes gjeografike ka vota në shtete kyçe, aty ku përcaktohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane. Bashkatdhetarët tanë duhet ta propagandojnë këtë fakt. Duhet t’u imponohen partive politike që u përkasin në SHBA. Duhet ta “shesin” shtrenjtë votën e tyre.
Unë i kuptoj kritikët dhe përbuzësit e këtij angazhimi, kur nisen nga pozita serioze. Komuniteti ynë ka tiparet njerëzore të çdo komuniteti tjetër në SHBA. Ka përplasje egosh, ka partizanizëm të sëmurë, ka abuzime e teprime. Nëse mendoni se komunitete të tjera nuk angazhohen në mënyrë të ngjashme, nuk kanë përçarje e kontradikta, nuk kanë figura që mbajnë peng organizata e komunitete të tëra, etj kjo vjen thjesht se nuk i njihni mirë këto komunitete.
Tiparet, virtytet, e veset njerëzore janë universale.
Të shohësh me mosbesim angazhimin në politikë është normale. Në fakt, nuk ka gjë më të rrezikshme se politizimi i gjithshkaje. Por toleranca duhet të jetë gjithnjë dydrejtimëshe që të funksionojë si duhet. Shqiptarët e Amerikës që përpiqen të thonë fjalën e tyre në përplasjet politike të ditës janë duke përmbushur një detyrë e një përgjegjësi.
Askush nuk është i detyruar t’u shkojë pas, por as që t’i pengojë që të shprehin mendimet e tyre, që të organizohen e të marrin anë. Kjo është një e drejtë e shenjtëruar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane.
Shpresa ime dhe urimi im është që këta shqiptaro-amerikanë që përfshihen në politikë t’i shfrytëzojnë lidhjet e tyre, jo për të krijuar hierarki sociale brenda komunitetit, por për ta përparuar e forcuar komunitetin tonë e mundësisht edhe mundësitë e atdheut nga kanë ardhur. Të jenë faktor ndihmues në miqësinë shqiptaro-amerikane.
Nga ana tjetër, shpresoj e uroj që përkushtimin e tyre politik ndaj kandidatit dhe partisë që mbështesin ta shprehin jo duke ofenduar kundërshtarët politikë e duke u përpjekur që t’ua mohojnë të drejtën e fjalës dhe të organizimit, por duke lavdëruar kandidatin e tyre e duke argumentuar se pse propozimet e kandidatit të tyre janë më të mirat për komunitetin, Amerikën, dhe shqiptarët në tërësi.
Nëse debatojmë duke shpalosur të mirat e njerëzve tanë dhe kauzës sonë, në vend të të këqijave të njerëzve të tjerë dhe të kauzës kundërshtare, mund të krijojmë një hapësirë komunikimi e gare që mund të edukojmë ata që mendojnë ndryshe nga ne, e ata që nuk kanë vendosur ende nëse duhet të votojnë apo se për kë të votojnë. Mund t’ia ruajmë njëri-tjetrit atë që regjimet antidemokratike që kemi përjetuar kanë synuar gjithmonë të shkatërrojnë: dinjitetin njerëzor.