Koncert nën narkozë – vëllim poetik nga Vaso Papaj

Sapo doli nga shtypi vëllimi poetik Koncert nën narkozë. Libri përmban 75 poezi krijuar vitin e fundit dhe shoqërohet me një prezantim nga Iva Gjoni, master në letërsi, Anglisht dhe pedagogji nga New Yorku.

 

Mes dimrit dhe pranverës së një poeti: parathënie nga Iva Gjoni

 

Poetёt, lindur dhe jetuar me aromёn e diktaturёs tё fundshekullit tё XX, asaj komuniste, kanё diçka tё njёllojtё, njё mesazh tё hidhur dhe tejet realist tё pikturuar me ngjyra gri, nё kohё dimri, nёn qiell me re tё zymta, por me njё ultimatum: triumfin. Sa mё shumё kthej kokёn pas e shoh Solzhenicin, Vissily Grossman, George Orwellin, Golding gjej jo humbёtirё, jo dhembje e aspak trishtim. Nё rreptёsinё e fjalёve tё tyre, nё vrazhdёsinё e botёve qё krijuan duke rrёfyer natyrёn e pakuptimtё njerёzore nё pёrgjithёsi dhe etjen pёr pushtet, unё gjithnjë kam marrë forcё. Kjo edhe pse larg, kam parë dhe ndjerë shenjat e pranverës.

Çfarё pёrcjell Vaso Papaj poet, Vaso Papaj shkrimtar, intelektual, mësues, i përndjekur, njerëzor, por gjithmonë ithtar i lirisë kur thotë:

 

… E prapë,

Trageti ecën fort e s’do të ndalet.

Më ngjaka me një trim,

Gjersa një ditë nga lart do t’më thërrasë

I larti..,

Zoti im.

 

Apo kur thotё:

 

Çdo ditë më shpesh kujtoj përrallën time,

E çfarëdolloji qoftë, nuk reshtem ta tregoj.

Vishem me ëndrra dhe kështu i ngjaj një fëmije,

Që krijon iluzione sikur po loz me heronj.

 

Nё vargjet e poetit ka shpërthime ndjenjash por edhe pёrshkrime ngjarjesh qё krijojnё ndjesinё se e kaluara, fati, Zoti dhe e ardhmja janё tё pёrziera dhe tё mbrujtura me njё lloj materiali qё ka shkaktuar dhembje e vuajtje, por tashmё guximi pёr pёrmirёsimin e kushteve qё e bёjnё jetёn tё mirё dhe, kryesisht, pёr mundёsinё e ekzistencёs sё lirisё individuale forcohet dhe shtohet nga njё rrёfim nё tjetrin. Për shembull, në poezinë Qetësinë ta bëj të flasë poeti rrëfen se nuk është Zot dhe nuk di si ta shuajë heshtjen, e cila e bren. Ai kërkon krahë, ndofta kërkon hov, kurajë, nxitje që të mund të fluturojë në hapësirat e së vërtetës. Me fjalë që burojnë nga një lloj lodhje, dorëzimi, mosluftimi duket sikur poeti proteston, bëhet rebel por gjithmonë duke mbetur njerëzor. Shijoeni fundin elegant:

 

Ndaj, nis e qesh, në krahë të marr

E humb në hapësirë.

Në sy, si ti, dhimbjen kam parë.

Kjo më ka bërë të mirë.

Do të doja krahë të fluturoj

E lart, më lart të ngas.

E nëse rrotull ka qetësi,

Qetësinë ta bëj të flasë.

 

Ai thërret për ndryshim, lëshon klithma, nxit për të mos vazhduar kështu, për të thyer qetësinë, për të mos heshtur, për të mos reshtur deri sa liria, ajo e plota, e paqta, e shtrenjta të jetë arritur.

Teksa lexoj rrёfime e vargje tё Poetit, kujtoj Fermёn e kafshёve, revolucionin Rus, ndryshimin e rendit, premtimet, vuajtjet e mijёra individёve qё, dhe nёse i rezistuan kёtyre vuajtjeve e i rrёfyen nё romane, novela e poema, mbetёn tё vrarё gjithsesi. Si mund tё rikthesh lirinё e marrё, vitet e gjymtuara, shpirtin e plagosur, mendjen e lodhur, premtimet e zymta, gёnjeshtrat shpresёdhёnёse, vetminё, izolimin, ideologjinё qё vrau, propagandёn qё u çorr, pushtetin qё u mor e u mbajt me zor, demokracinё e hidhur dhe pёrsёri zhgёnjimin? Por poeti çon zёrin, thёrret, ulёret, tёrbohet, rrёfen dhe pёrsёrit: si s’kupton ti, lexues, si s’ngrihesh, s’lufton, s’mbron lirinё, atё tё çmuarёn, tё vyerёn, tё shtrenjtёn, jetёdhёnёsen?

Titulli i përmbledhjes, “Koncert nën narkozë” simbolizon mpirjen e qytetarëve, popujve, shtresave të shtypura, të dobëta ose të forta, të pafuqishme ose të atyre që besojnë se janë të pafuqishëm. Retë, dimri, vetmia, ftohtësia që përcjell ballina e vëllimit sikur kërkon të pranojë faktin që e tashmja është e tillë: e errët, e murëzuar. Por mesazhi që përcjell nëpërmjet mikrofonit është i tjetërllojtë ndërsa ndërthuren bukur me shkëlqimin, qoftë të zbehtë të një mëngjesi: është ftesë për ngritje zëri, për rebelim të fjalës, për solidaritet njerëzor, për hedhje poshtë të padrejtësive, për një shoqëri të arsyeshme, për kërkim të të drejtave – atyre njerëzore, shoqërore dhe individuale.

Poeti sikur thotë: ja ku është mundësia. Tani folni!

Vaso Papaj flet nëpërmjet vargjeve dhe rrëfimeve, personazheve dhe ideve që përcjell në poezitë: Më sill pak det, Shi i shpirtit tim, Luftohej në Athinë, Ujku, E prapë Zoti më mungon, Trageti, Timo apo Agustin. Në çdonjërën prej këtyre poezive Ai sfidon heshtjen dhe kërkon të ndjekim shembullin e tij, të zgjohemi një mëngjes, të dalim nga kjo amulli apo agoni, të kërkojmë rrezen e diellit që ta tresë këtë narkozë, të fitojë pranvera mbi dimrin, të triumfojë morali i shëndoshë.

Poeti, pra, lufton të na zgjojë dhe e bën këtë duke sjellë aromën e detit, duke na kujtuar një mik, një shok, duke zgjuar ndjenja të fjetura me poezinë e shiut dhe të shpirtit, duke na bërë të ndërgjegjshëm për gjendjen tonë, por dhe harrohet nganjëherë në vargje lirike që të mbesin në mendje gjatë për brishtësinë, sinqeritetin dhe këndvështrimin si: Aromë gruaje, Në kasollen e anuar, Jam i yti, Të më duash të dielave, Dhe diellin s’kam ç’e dua, Vallë, Kundravajtje!?

Janë të çmuara fjalët e poetit: janë sfidë, ushtimë, zgjim.

Vetë disa nga titujt e poezive janё thirrje: Nё sheshin Liria, Nёn tё njёjtin qiell, Sonte nata ёshtё e jona, Zonjё lumturi, Do jem me ju, Vjeshta e zinxhirëve, A do të dimë të qeshim?, Zgjohu!, Ik!, Erdha, Kёnga e refugjatit.

 

Mendimi im i ngjan një zogu të shtegtuar.

Ikën në prag vjeshte, të gjejë pak ngrohtësi.

Se rruga është e hapur, telat me dhëmbë rrëzuar.

Mos më kërko. S’më mban. I lidhur dot nuk rri.

 

Disa nga ne ikёn, braktisёn zhgёnjimin, nuk qenё aq tё fortё sa tё luftonin dhe mё. Si zogj nё njё shtegtim pa kthim mbetёm tej oqeanit, pёrtej kufirit e vёzhgojmё pёr sё largu atё atdhe qё ёshtё aq i dashur, aq i ёmbёl, aq i vuajtur. Le tё falenderojmё ata qё mbetёn, qё ende luftojnё, qё ende thёrrasin.

Le tё falenderojmё Poetin qoftë edhe për këtë.

 

(New York, 13 Mars, 2013)

 

 

 

 

Koncert nën narkozë

Paksa hapa dritaren, që ajri të më nginjte,

Po fshihej ngadalë nata, narkoza tretej krejt.

Do të desha mugëtira me yjet ta thëthinte.

Nën dritën e mëngjesit të hapja një koncert.

 

E zura të këndoj kur bulkthi kish pushuar.

Atë mëngjes të vakët kur s’pipëtinte kush.

Një botë aq të padrejtë s’e doja nëpër duar,

Ku qeshje të sinqerta nuk të dhuron askush.

 

Me shpirtin e poetit, koncertin do t’këndoja.

Le t’isha nën narkozë, do t’ngjallja veç besim.

Agimit të përgjumur një rreze dritë t’i shtoja,

Gjersa një pikë narkoze mos mbante brezi im.

 

Qershor 2012

 

 

 

A do të dimë të qeshim?…

 

Vërtet,

A do të dimë të qeshim një ditë?

A do të dimë të qeshim, vallë?

Kur t’i nxjerrim nga dheu dëshmitë:

Mijëra kafka me vrima në ballë?

 

Vërtet,

A do të dimë të qeshim një ditë?

E lotët t’i mbajmë veç për mall…

Do të dimë mos t’i shohin fëmijtë:

Brinjët-shoshë, ngatërruar me zall?

 

Vërtet,

I dëgjoni? Rënkojnë thellësitë.

Më thoni, do t’meken një ditë vallë?…

Thuamë, dheu im, në ç’shekull, në ç’vit?

Më thuaj: shpirtin tënd si ta ngjall?

 

Vërtet,

A do të dimë të qeshim një ditë?

Do t’arrijmë mos ta kemi këtë hall?…

Do t’më duhej t’i vija të gjitha fuqitë,

Vetëm shpirtin t’a mbaja të gjallë.

 

Shkurt 2013

 

 

 

E gjeta njeriun

 

Miq, njeriu ka kohë që ka humbur,

Nuk lashë vend pa kërkuar këtej,

Gjer shtigjet e shpirtit kam shkundur,

E prapë nuk po mundem ta gjej.

 

Të urtin, të aftin, të ndershmin,

Ku është fshehur? Atë po kërkoj.

S’lashë shtigje të shpirtit pa shkelur,

E më duket se kot po rrëmoj.

 

Po zënë qënkan shtigjet e shpirtit,

Ndaj terri më ndjek gjithandej.

Dhe pyes, mos vallë unë kam humbur?

A mos veten më kot po gënjej?

 

Po ja, që zbardhi një ditë dhe e gjeta.

Sytë e saj me lot si dy diej.

Putha lotët dhe i dehur seç mbeta.

Drit’ e tyre më kish shkuar ndër dej.

 

Janar 2013

Comment

*