Konferenca e 49-të e Sigurisë në Mynih

Berisha: Shqiptarët nuk mund të klonohen në 5 kombe, janë një dhe i vetëm! Kryeministri tha se e ardhmja e qartë është integrimi në Bashkimin Europian

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha tha se albanofobia vazhdon të mbetet kërcënim për rajonin e Ballkanit. Në diskutimet e zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë në Konferencën e 59 të Sigurisë në Mynih, kryeministri Berisha paralajmëroi nevojën e ndryshimit të qëndrimeve ndaj shqiptarëve për të forcuar më shumë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.
Sipas zotit Berisha, ndonëse jetojnë në pesë shtete, shqiptarët janë një komb i vetëm. “Albanofobia në të gjithë qëndrimet kundër shqiptarëve është e gjallë dhe në veprim dhe kërcënon seriozisht qëndrueshmërinë në Ballkan. Nëse shihni hartën, nuk do të gjeni askund një vend që të rrethohet vetëm nga bashkëkombas dhe nga deti, sikurse janë shqiptarët të ndarë në pesë shtete”-tha ai.
Gjithnjë sipas kryeministrit Berisha, e ardhmja e qartë është integrimi në Bashkimin Europian dhe jo përpjekja për t’i klonuar shqiptarët në pesë kombe:“Nëpërmjet integrimit europian, kufijtë bëhen të parëndësishëm, por është e rrezikshme idea, sipas të cilës meqë shqiptarët janë të copëtuar në pesë shtete, duhet të shndërrohen në pesë kombe. Duhet hequr dorë nga albanobofia dhe nga përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptarë nga i njejti komb, i cili në të vërtetë ka qenë një i vetëm në mijëravjeçarë dhe do të mbetet një. Sepse, në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Shpresoj se perspektiva Europiane do të jetë ajo që do të siguroje zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan në BE, ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi, dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë, por në të vërtet kjo nuk po ndodhe në rajonin tonë”.
Qëndrimi i zotit Berisha iu drejtua në formë përgjigjeje deputetit gjerman Rainer Shtinë (Stinner), pasi ai këkroi të dinte se cili ishte mesazhi i kryeministrit. Berisha iu lut deputetit gjerman “përpiquni të kuptoni më mirë, më drejt këto që unë paraqita këtu, të njiheni më mirë me realitetin në rajonin tonë”. Mandej, në këtë linjë, kryeministri dha një shembull të vitit 1992 kur ai kishte kërkuar që të sulmoheshin caqet e Serbisë që po ndizte Ballkanin me luftë pas lufte: “Në vitin 1992 unë kam qenë këtu në Mynih në të njëjtën Konferencë. Një gazetar italian i “Corriere della Sera”-s më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në rajon. Unë iu përgjigja se, zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Unë isha shprehur për bombardimin e bazave ushtarake të Serbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndoshta do të kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë serish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në Rajonin”.
Sipas zotit Berisha, megjithatë e rëndësishme dhe vendimtare është për Ballkanin, që të respektohen plotësisht dhe të zbatohen marrëveshjet e ndryshme. Për Shqipërinë, sipas kryeministrit, këto marrëveshje “në një farë mënyre më së shumti ishin të imponuara”, por theksoi “shumë të rëndësishme dhe përcaktuese”.
“A janë implementuar të gjitha këto marrëveshje? Ende jo. Duhet të jemi të sinqertë, ende jo. Ato madje kërcënohen për t’u harruar. Mirëpo kjo nuk ndihmon. Në fund të ditës më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është, që qytetarët e këtij rajoni kudo që jetojnë të ndihen si qytetarë të barabartë përpara ligjit”-tha zoti Berisha.
Kryeministri Berisha më pas në u takua me presidenten e Kosovës, Atiefete Jahjaga. Zoti Berisha dhe presidentja Jahjaga shprehën keqardhje për fenomenin albanofobia, të cilën e quajtën të tejkaluar dhe që nuk i shërben të ardhmes së rajonit. Në takim ishin edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri për Forcës së Sigurisë, Agim Ceku si dhe ambasadorët e të dy vendeve në Republikën Federale të Gjermanisë. “Kryeministri Berisha dhe Presidentja Jahjaga vlerësuan faktin se Republika e Kosovës është shndërruar tashmë në një faktor real e të rëndësishëm të paqes e sigurisë e bashkëpunimit në Rajon e më gjërë. Sikundër shprehen keqardhjen e thellë për fenomenin e albanofobisë, i cili është tërësisht i pabazuar dhe i mbështetur në mentalitete të tejkaluara dhe nuk i shërben aspak konsolidimit të paqes dhe bashkëpunimit në Rajon, por edhe projekteve madhore të integrimit europian të Rajonit”-njoftoi zyra mediale e kryeministrisë në Tiranë.