Kongresi Amerikan diskuton mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia – shtegu drejt paqes: A po ndryshon qasja amerikane ndaj Çështjes Shqiptare në Ballkan?

 

Nga Faton Bislimi

WASHINGTON, DC, 24 Prill 2013—Me kërkesë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga ish-Kongresisti Joe DioGuardi dhe Këshilltarja për Çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi, kryetari i Komitetit për Evropë, Euroazi, dhe Kërcënime të Reja, Kongresisti Dana Rohrabacher ka mbajtur sot një seancë dëgjimore të posacme mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Të ftuar për të dhënë mendimet dhe dëshmitë e tyre mbi këtë cështje ishin Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore nga Departamenti i Shtetit, Profesori Daniel Serwer nga University Johns Hopikns, Shirley Cloyes nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Obran Kesic nga TSM Global Consultants, Roland Gjoni si ekspert i qeverisjes lokale në Kosovë, dhe Bob Churcher, ish-shef i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë.
Në hapje të seancës, Kongresisti Rohrabacher foli për marrëveshjen e arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel më 19 Prill. Ai tha se gjerësa marrëveshja është mirëpritur, ajo ka lënë të pazgjidhura shumë probleme në mes dy vendeve. “Dallimet në mes palëve mbeten të thella” ka shtuar Rohrabacher. “Kosova ka luftuar guximshëm për liri dhe pavarësi pasi që nuk ka dashur të vazhdojë të sundohet nga serbët,” dhe tani, sipas Rohrabacher, kjo marrëveshje e arritur në Bruksel u jep një autoritet të madh qeverisës serbëve në Kosovë duke lënë “autoritetin qendror vetëm si fasadë apo iluzion” mbi veriun e Kosovës. Rohrabacher tha se pajtohet edhe me vlerësimin e gazetës prestigjioze amerikane, New York Times, e cila në një artikull të këtyre ditëve e ka vlerësuar marrëveshjen Kosovë-Serbi si “marrëveshje të ndarjes së pushtit dhe autoritetit qeverisës” në mes Prishtinës dhe serbëve të veriut.
Problemet nuk janë zgjidhur me këtë marrëveshje, vlerësoi Rohrabacher, pasi që “ndeshja e identiteteve” në mes serbëve dhe shqiptarëve vazhdon tutje. Problematikë në vehte e kësaj marrëveshje është edhe fakti se ajo neglizhon cështjen e shqiptarëve në Serbinë Jugore, apo Luginën e Preshevës, dhe sipas Rohrabacher, më mirë do të ishte sikur që edhe serbëve të veriut të Kosovës, ashtu edhe shqiptarëve të Jugut të Serbisë, t’i njihej e drejta për vetvendosje në mënyrë paqësore. Serbët e veriut kanë treguar në vazhdimësi se nuk njohin, nuk duan të njohin, dhe nuk duan të jetojnë nen autoritetin e Prishtinës në një Kosovë të pavarur. Ngjashëm edhe shqiptaret e Luginës së Preshevës kanë shprehur dëshirën, nevojën, dhe vullnetin e tyre për të jetuar në shtetin e Kosovës dhe jo nën atë të Serbisë. Prandaj, “kufijtë mund të ndryshojnë,” ka theksuar Rohrabacher, duke shtuar se “kjo do të sjellte një ekulibrium të ri në rajon.”
Pas fjalës së kryetarit Rohrabacher, folën edhe disa nga anëtarët tjerë të këtij Komiteti në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit, si kongresistët Keating, Poe, Engel, Holding, dhe Stockman.
Në fjalimin e tij, kongresisti Keating vlerësoi marrëveshjen Kosovë-Serbi si një hap përpara në integrimet evropiane të rajonit. Mirëpo, ai vlerësoi se të dyja vendet duhet të bëjnë shumë më shumë në luftimin e korrupsionit, vendosjen e plotë të sundimit të ligjit, dhe konsolidimit të mëtutjeshëm të demokracise. Të gjithë duhet të punojnë më shumë ashtu që “gjeneratat e reja të mos përjetojnë atë që u përjetua në këtë rajon deri më tani,” konkludoi kongresisti Keating.
Kongresisti Poe, vlerësoi pozivitisht marrëveshjen Kosovë-Serbi, dhe lavdëroi rolin që ka luajtur Serbia në këtë proces. Ai foli edhe për një sër problemesh me të cilat, sipas tij, ballafaqohen serbët e Kosovës. Poe vlerësoi se ka ende shumë punë për të bërë për të sjellur drejtësi në këtë rajon, duke vënë theks të vecantë edhe në raportin e Dick Marty dhe “shtëpinë e verdhë”.
Pas tij, fjalen e mori kongresisti Engel. Edhe ai e vlerësoi lart marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe rolin pozitiv që ka luajtur Kosova në këtë proces. Ai shprehu besimin se marrëveshja fuqizon sovranitetin e Kosovës dhe hap rrugën e saj drejt integrimeve evro-atlantike. Engel i bëri thirrje pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt.
Kurse, kongresistët Holding dhe Stockman, shprehën përkrahjen e tyre për këtë dëgjim kongresional dhe për rëndësinë që ka roli aktiv i SHBA-ve në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
Pas deklarimeve hyrëse të kongresistëve, fjalën e mori z. Moore nga Departamenti i Shtetit. Ai vlerësoi se marrëveshja e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, u bë e mundur pas rolit shumë të rëndësishëm të BE-së dhe SHBA-ve në ndërmjetësim në mes të dy palëve. “Ballkani duhet të futet në BE ashtu që Evropa të jetë e tërë, e sigurtë, dhe ne paqe,” vlerësoi Moore duke theksuar kjo është edhe një nga aryet kryesore që “SHBA ka qenë intensivisht e involvuar edhe ne procesin e dialogut Kosovë-Serbi.”
“Përgjerësa do të ketë elementë kriminalë në veri të Kosovës që do të mundohen ta pengojnë implementimin e marrëveshjes së arritur në mes të dy vendeve, zbatimi i saj nuk ka alternative,” theksoi Moore, duke vazhduar se “EULEX dhe KFOR do të jenë të angazhuar fuqimisht në fazën e implementimit të marrëveshjes.” “Ndryshimi i kufijve nuk është zgjidhje,” tha ai.
Pas përfundimit të fjalimit të z. Moore, kongresisti Rohrabacher ia adresoi atij një sër pyetjesh, ndër të cilat, kryesore ishte nëse sipas marrëveshjes iu është ndaluar FSK-së hyrja në veri të Kosovës. Moore tha se kjo është e vertetë, duke shtuar se paqën dhe sigurinë atije do ta ruajnë KFOR dhe EULEX dhe se nuk do të ketë nevojë për FSK-në. Rohrabacher shprehu kundërshtimin e tij ndaj kësaj pike duke thenë se është e pakuptimtë si mund të flitet për shtrirje të autoritetit të Prishtinës në tërë Kosovës kur në të njejtën kohë i mohohoet FSK-së veprimi në një pjesë të caktuar të territorit. Ai i bëri thirrje Departamentit të Shtetit që të angazhohet fuqishëm në kapërcimin e kësaj ndalese dhe në përkrahjen që FSK të bëhet ushtri dhe të ketë mundësi veprimi në të gjithë Kosovën. Moore nuk e përjashtoi mundësinë që “në të ardhmen” edhe FSK të mund të jetë prezente në veri. Rohrabacher i kërkoi z. Moore që Departamenti i Shtetit të merret më intensivisht me cështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke ndikuar që edhe atyre t’iu respektohen të drejtat njerëzore dhe kombëtare si pakicë në Serbi.
Kurse, kongresisti Keating e ngriti cështjen “nëse janë paraparë dënime apo pasoja për palën që nuk respekton apo dështon në implementimin e marrëveshjes.” Moore, në përgjigjën e tij, vlerësoi se parashikimi i ndëshkimeve është ceshtje e BE-së.
Pas fjalimit të z. Moore, fjalën e mori Profesori Serwer, i cili ishte kategorik kundër cfarëdo ndryshimi kufijsh në Ballkan. Ai potencoi se arritja e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë është një sinjal i mirë që po ecën rrugës së duhur, përkundër faktit që ajo lë disa cështje pezull. Mirëpo, Serwer theksoi se është “tepër e rëndësishme që BE të mbajë të sinqerta të dyja palët dhe të ketë përkushtim të plotë të tyre në fazën implementuese të marrëveshjes.”
Pastaj, Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe aktiviste e njohur e cështjes kombëtare shqiptare në SHBA, e mbajti fjalimin e vet, me theks të vacantë në problemet që nuk zgjidhë marrëveshja Kosovë-Serbi. Cloyes vlerësoi se “puna me e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit është bërë pikërisht në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit.” Ajo përgëzoi kryetarin Rohrabacher për mbajtjen e këtij dëgjimi kongresional duke theksuar “se ka qenë gjithëherë Kongresi ai që ka drejtuar si duhet politikën e jashtme të SHBA-ve, duke sjellur kështu edhe qëndrimin pozitiv e përkrahës së administrates amerikane për luftën në Kosovë, dhe mandej edhe për pavarësinë e saj.” Pjesë të dëshmisë së saj në këtë dëgjim kongresional, Cloyes e bëri edhe “artikullin e fundit të Faton Bislimit të botuar nëpër disa media evropiane me titull “Politika e Kompromisit po e Kompremeton të Ardhmen e Kosovës” pasi që aty flitet kjartë për disa nga problemet madhore të marrëveshjes Kosovë-Serbi.”
“Sa here që SHBA-të janë tërhequr nga roli kryesor në Ballkan, duke ia lënë këtë pozitë BE-së, gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Andaj, është në interesin tone që të jemi udhëheqës të proceseve në Ballkan e vecanërisht në përkrahje të Kosovës,” vlerësoi Cloyes, duke shtuar se “është pikërisht retorika evropiane dhe amerikane por jo edhe veprimet përkatëse se nuk do të ketë ndarje të Kosovës që na ka sjellur deri në këtë pikë.” “BE është më shumë e angazhuar për një strategji dalëse nga Ballkani,” tha Cloyes, duke theksuar se “tani ka ardhur koha për një paradigmë të re në casjen e politikës sonë të jashtme—të fokusohemi në preventive të problemeve e jo në stabilitet me cdo cmim.”
“Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk zgjidh problemet në mes dy vendeve, por përkundrazi hap mundësi për probleme dhe rreziqe të reja në rajon,” shtoi Cloyes.
Në fjalimin e tij, Obrad Kesic, vlerësoi se përgjerësa mendimi i kryetarit Rohrabacher për të drejtën e vetvendosjes është legjitim, ai nuk pajtohet me të pasi që nga Kosova janë “përzënë disa qindra mijëra serbë, dhe në veri kanë mbetur shumë pak serbë në veri për të realizuar këtë të drejtë.” Sipas Kesic, të drejtat e serbëve në Kosovë nuk respektohen dhe për këtë arsyeje ata nuk kanë besim as në BE-në as në SHBA-të. Zgjidhja më e mirë, sipas tij, do të ishte një lloj federalizimi i Kosovës, tanimë që bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.
Pas Kesic, një vlerësim për marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë e bëri edhe eksperi i qeverisjes lokale Roland Gjoni. “Me planin e Ahtisaarit iu është dhënë një sër kompetencash komunave në përgjithësi dhe atyre serbe në vecanti,” vlerësoi Gjoni duke shtuar se “marrëveshja e fundit del përtej Ahtisaarit.” Si e tillë, sipas Gjonit, marrëveshja ngrit statusin e serbëve të veriut në atë të një autonomie. “Ndalimi i presences së FSK-së në veri i jep karakter territorial statusit të serbëve të veriut,” tha Gjoni. Kurse në lidhje me atë se marrëveshja po ia hap dyertë Kosovës dhe Serbisë për ne BE, Gjoni vlerësoi se marrëveshja sjelle benefite te pabarabarta për Kosovën dhe Serbinë. “Nuk e shoh se si Serbia mund të parandalojë ecjen e Kosovës drejt BE-së përgjerësa ajo vet nuk është në BE,” shtoi ai. “Duhet një marrëveshje gjithpërfshirëse që do të rregullonte cështjen e të pagjeturëve, dëmshpërblimin e luftës, reciprocitetin e të drejtave minoritare, dhe demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë,” përfundoi Gjoni.
Në fund, fjalimin e tij e dha edhe Bob Churcher. “Nuk mund të ketë asfarë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përgjerësa Serbia nuk e njeh Kosovën. Andaj, marrëveshja e arritur së fundmi i jep mundësi krijimit të një situate të ngjashme si ajo në Bosnjë me Republika Srpska,” vlerësoi Churcher. Marrëveshja, me fuqitë dhe autoritetin që i jep serbëve të veriut, e defunksionalizon Kosovën tutje. Kurse, magësie të madhe të marrëveshjes, Churcher e vlerëson edhe mungesën e diskutimit të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Pas përfundimit të paraqitjeve të dëshimeve nga të gjithë panellistët, kryetari Rohrabacher e vazhdoi dëgjimin me një debat në lidhje me ato që u thane nga dëshmitarët. Ai vazhdimisht këmbënguli në rregullimin e marrëdhënieve Serbo-Shqiptare përmes kutisë së votimit dhe respektimit të të drejtës për vetvendosje për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe serbëve në veri të Kosovës, në mënyrë paqësore. “Kufijtë gjithëmonë kanë ndryshuar dhe kanë për të ndryshuar,” tha ai. “Edhe Jugosllavia njëherë është parë si një krijesë kufijtë e së cilës nuk do të ndryshojnë, por shiqoni sot,” shtoi ai. Vlerësimet e tij u kundërshtuan nga Profesori Serwer, mirëpo argumentet e kryetarit Rohrabacher ishin të shumta në favor të ndryshimit të kufijëve për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Debat pati edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe atyre në Mal të Zi e Maqedoni. Kryetari Rohrabacher vlerësoi se në Ballkan ka ende shumë punë për të bërë për të sjellur drejtësi dhe paqe afatgjate, vecanerisht për popullin shqiptar.
Vlenë të theksohet se dëgjimi i sotëm ishte një nismë e cila do të vazhdojë tutje si një përpjekje e lobit shqitpar në SHBA, pra Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, për të mbajtur në krye të agjendes së politikës së jashtme amerikane cështjen shqiptare në Ballkan. Pa angazhimin amerikan në rajon është vështirë të gjenden zgjidhje të duhura për problemet e shumta me të cilat ballafaqohet Ballkani. Historikisht, kanë qenë dëgjimet si ky sot që dalëngadalë e kanë ndryshuar, në favor të shqiptarëve, drejtimin e politikës së jashtme amerikane. Prandaj, nga deklarimet e bëra gjatë seancës së sotit, sidomos nga ana e kongresistëve, shihet se casja amerikanë ndaj cështjes shqitpare në Ballkan po merrë përmasa më serioze dhe gjithpërfshirëse, duke filluar kështu diskutimet për shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe atyrë në Mal të Zi e Maqedoni.
Tani që Kosova ballafaqohet me një proces të ri marrëdhënie me Serbinë, roli amerikan mbetet esencial. Pa përkrahjen amerikane nuk ka shumë shpresa se do ketë zgjidhje problemesh në Kosovë dhe Ballkan.

Faton Bislimi është studijues i marrëdhënieve ndërkombëtare në University of Alberta në Edmonton, Canada, Ka ligjëruar lendë të ekonomisë dhe politikës në Dalhousie University dhe Mount Saint Vincent University si dhe ka shërbyer si Asistent për Ballkanin në Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve. Është anëtar i bordit të drejtorëve të LQSHA-së.

Comment

*