Kongresi miraton 280 miliardë dollarë fonde për rritjen e prodhimit të mikroprocesorëve në SHBA

Uashington, 28 korrik 2022 – Kongresi amerikan ka miratuar një projektligj 280 miliardë dollarësh që do të nxisë prodhimin vendas të mikroprocesorëve dhe do të ofrojë mbështetje për një industri të rëndësishme në konkurrencën me vendet e huaja, përfshirë Kinën.

Projektligji u miratua të enjten edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve me 243 vota pro dhe 187 kundër, duke i dhënë kështu një fitore të rëndësishme Presidentit Biden në rrafshin e politikës së brendshme. Në favor të projektligjit votuan edhe rreth njëzet e katër ligjvënës republikanë, megjithëse republikanët kishin deklaruar se qeveria nuk duhet të harxhojë miliarda dollarë për të mbështetur këtë sektor të ekonomisë.

Një ditë më parë, Senati amerikan e miratoi të mërkurën me 64 vota pro dhe 33 kundër këtë projektligj që mbështet industrinë e prodhimit të mikroprocesorëve në vend.

“Sot është një ditë shumë e mirë për popullin amerikan, për të ardhmen e vendit tonë. Besoj fort se kur të nënshkruhet, ky ligj do të nxisë frymën e novacionit dhe optimizmit që e bën Amerikën tërheqëse për botën”, tha Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës në Senat.

Gjatë një udhëtimi javën e kaluar në një rajon të madh të industrial në pjesën qendrore të vendit, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se legjislacioni do të pakësonte varësinë e Amerikës nga Kina.

“Amerika nuk do të jetë më gjithmonë e varur tek vendet e tjera për një gjë të shpikur dhe prodhuar këtu në Amerikë. Dhe ne do të rikthejmë vendet e punës”, tha ajo.

Projektligji do të sigurojë 52 miliardë dollarë stimuj për industrinë e prodhimit të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara, por ai është më pak ambicioz në trajtimin e konkurrencës së Amerikës me Kinën në krahasim me propozimin fillestar.

Por bashkë-hartuesit e projektligjit thanë se ky votim ishte një fillim i mirë.

“Ky financim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara po bëjnë një investim të fortë për të ruajtur avantazhin në garën globale të teknologjisë, dhe në përpjekjet për të parandaluar mundësinë e përdorimit të zinxhirëve të furnizimit global kundër Shteteve të Bashkuara, apo kundër aleatëve tanë. Në vitet e fundit, Kina ka vazhduar të rrisë investimet në industritë e saj vendase, veçanërisht në fushat që i japin asaj ndikim strategjik afatgjatë”, thotë senatori demokrat Mark Warner.

Duke marrë parasysh shqetësimin e shumë amerikanëve për gjendjen e ekonomisë dhe inflacionin në rritje, disa konservatorë kritikuan koston e projektligjit, që pritet të krijojë një deficit prej 79 miliardë dollarësh gjatë dekadës së ardhshme. Senatori Bernie Sanders, i cili zakonisht voton me demokratët, tha se nga fondet për këtë projektligj përfitojnë korporatat e pasura.

“Kriza është shkaktuar nga mbyllja e kësaj industrie në Amerikë dhe zhvendosja e saj jashtë vendit. Dhe me këtë që po bëjmë sot ne po themi, ‘do t’ju japim fonde falas për të zhbërë dëmin që keni shkaktuar”, tha ai.

Por në fund, 17 republikanë votuan në favor të projektligjit, duke përmendur shqetësimet për konkurrencën strategjike të Shteteve të Bashkuara me Kinën.

“Kjo ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe për t’u siguruar që ne të kemi furnizim të mjaftueshëm këtu në vend për produkte që janë absolutisht të domosdoshme. Do të doja që kjo të arrihej me një kosto më të ulët, por në këtë rast kostoja do të jetë e lartë”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i pakicës në Senat.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet që së shpejti të miratojë legjislacionin përpara fillimit të pushimeve verore dhe më pas Presidenti Biden do ta nënshkruajë atë në ligj.

(Zëri i Amerikës)