Kongresisti i njohur për shqiptarët Lee Zeldin zbulon se ka mposhtur një sëmundje të rëndë

Nga Ruben Avxhiu

Kongresisti republikan, Lee Zeldin, i cili po kandidon për guvernator i Nju Jorkut (New York) ka deklaruar të shtunën se është diagnostikuar me leuçemi miolide kronike, një lloj kanceri i gjakut, por është shprehur optimist për të ardhmen.

“Brenda 9 muajsh kam arritur pothuajse ta eliminoj dhe pritet të jetoj një jetë normale, dhe doktori im thotë se nuk ka më gjurmë të sëmundjes në sistemin tim”, thotë Zeldin.

Kongresisti nga Long Ailënd (Long Island), New York është i njohur për shqiptarët sidomos për mbështetjen e kauzës së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë nga serbët pas mbarimit të luftës në Kosovë.

Zeldin dhe kolegu i tij demokrat Eliot Engel kanë hartuar disa rezoluta dhe kanë lobuar pranë administratave të ndryshme amerikanë që kriminelët të vihen përpara drejtësisë.

Në një seancë të fundit dëgjimore në Komitetin e Punëve të Jashtme, Zeldin kërkoi nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken sqarime për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Zeldin shpreson të fitojë garën brenda Partisë Republikanë për kandidat për guvernator të shtetit në New York. Ai ka theksuar se shëndeti nuk do të jetë problem.