Kongresisti Ritchie Torres, Bashkë-Kryetari i ri i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan

Nga Harry Bajraktari

Miku im i mirë, kongresisti Ritchie Torres do të jetë Bashkë-Kryetari i ri i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin e 117 Amerikan. I shpreh me këtë rast përgëzimet e mira më të mira.

Kongresisti Torres është duke përmbushur premtimin e tij se do të vazhdojë rrugën e kongresistit Eliot Engel për çështjet shqiptare.

Duke njoftuar rolin e tij të ri udhëheqës në Kaukus, ai nënvizoi miqësinë e fuqishme shqiptaro-amerikane. “Mezi pres që të mbroj dhe të çoj përpara interesat tona të përbashkëta”, tha ai.

Ky është një lajm i mirë për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Kongresisti Torres është një nga yjet në ngritje të Partisë Demokratike Amerikane dhe që tani tani ka krijuar emër në Washington me kontributin e tij thelbësor legjislativ në Kongresin Amerikan.

Si kongresist ai përfaqëson një hapësirë që përfshin Arthur Avenue, një lagje ku shqiptarët banojnë dhe jetojnë që prej gati një shekulli. Për koinçidencë kjo është edhe zona zgjedhore që zgjodhi për herë të parë për në Kongresin Amerikan, kongresistin Engel, më shumë se 30 vjet më parë. Po këtë lindi edhe ideja e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare si dhe u themelua gazeta “Illyria” tri dekada më parë.

Kaukusi i Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan është një institucion i rëndësishëm që u përgjigjet nevojave dhe shqetësimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe kombit shqiptar në të gjitha trojet kombëtare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës etj. Faktori shqiptar është kyç për paqen, stabilitetin, dhe përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe të mbarë rajonit të gjerë të Europës Juglindore. Shqiptarët janë sot padyshim mbështetësit më të fuqishëm të politikës së jashtnme të Shteteve të Bashkuara në botë.

Kaukusi ka luajtur një rol historik në ndikimin e politikës së jashtme amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, demokratizimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut në mbarë rajonin.

Kongresisti Torres e njeh mirë komunitetin tonë që nga koha kur punonte në zyrën e Këshilltarit James Vacca, po në këtë distrikt. Ai më tej u zgjodh në Këshillin Bashkiak të Qytetit dhe pastaj në Kongresin Amerikan.

Ai sapo kishte fituar garën brenda Partisë Demokrate vitin e kaluar kur patëm mundësi që ta takojmë bashkë me ministren e atëhershme të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ku folëm për problemet në rajon. Ishte një kënaqësi të shikoje interesin dhe vendosmërinë e tij të sinqertë për t’u angazhuar në punën tonë.

Shqiptaro-amerikanët kanë pasur shumë miq të mirë në Washington. Më i dashuri dhe i madhi prej tyre ishte Eliot Engel me të cilin kam pasur kënaqësinë që të punoj për më shumë se 30 vjet. Ai mbetet një mik i madh. Por asgjë nuk më jep më shumë kënaqësi sesa kur shoh afrimin tonë me një brez të ri udhëheqësish në politikën amerikane, ku kongresisti Torres është një nga shembujt më të mirë.

Vërtet që komuniteti ynë pret me kënaqësi bashkëpunimin me kongresistin Torres për ta çuar përpara miqësinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar në Ballkanin Perëndimor.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Nga takimi ynë në gusht 2020. Nga e majta, Harry Bajtaktari, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, kongresisti i sotëm Ritchie Torres, Ambasadorja e atëhershme në Washington DC, Vlora Çitaku, Dr. Sulejman Çelaj, dhe Rrustem Gecaj.