Kongresistja Maloney në takim me shqiptarë në Nju Jork: SHBA mbështet kërkesat tuaja të drejta

Nju Jork, 19 dhjetor 2021 – Carolyn Maloney, përfaqësuese e Nju Jorkut në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, pak ditë më parë, pati një takim shumë miqësor me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, avokues të fuqishëm të çështjes shqiptare në Amerikë.

Nikoqirët e takimit e falënderuan zonjën Maloney për mbështetjen që ka dhënë për shqiptarët, sidomos për Kosovën, gjatë karrierës së saj 30-vjeçare si kongresiste. Më pas, ata e njoftuan me shqetësimet dhe preokupimet e tyre lidhur me Kosovën e shqiptarët, si edhe me sfidat me të cilat përballet aktualisht rajoni i Ballkanit.

Organizatori i takimit, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, njohës i shkëlqyeshëm i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, fillimisht e njohu Zonjën Maloney me historinë e lidhjeve dhe miqësisë së shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më pastaj, ai e njoftoi mysafiren me historinë e luftës së fundit në Kosovë, me të gjitha pasojat e saj, sidomos me krimet e aparatit shtetëror të Serbisë ndaj popullsisë civile, duke theksuar se urdhërdhënësit dhe autorët e këtyre krimeve nuk janë nxjerrë ende para drejtësisë, sepse gëzojnë imunitet dhe mbështetje nga autoritetet në Serbi.

  1. Bajrami e njoftoi Kongresisten Maloney edhe me zhvillimet aktuale në në Kosovë e në rajon, duke vënë theksin në rolin destruktiv të Serbisë në përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ai theksoi se Serbia, me mbështetjen politike e ushtarake të Rusisë dhe me mbështetjen politike e ekonomike të Kinës, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe ta pengojë anëtarësimin e saj në organizata dhe institucione ndërkombëtare. Për më tepër, vazhdon përpjekjet për destabilizim në Kosovë, përmes provokime të ndryshme dhe duke i keqpërdorur pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, përmes Kongresistes Maloney, kërkuan nga Kongresi dhe administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të forta për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Në dokumentin që iu dorëzua kongresistes Maloney për ta përcjellë në organet politikbërëse dhe në qarqet me ndikim në Uashington, kërkohet që Shtetet e Bashkuara të rimarrin lidershipin në Ballkan dhe të përfshihen në mënyrë të drejtëpërdrejtë në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

“Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë autoritet ta shtyjnë procesin drejt zgjidhjes afatgjatë të konfliktit”, thuhet në arsyetimin e kërkesës.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Çdo vonesë në këtë drejtim vetëm sa do të komplikojë problemet lokale”, thuhet më tutje në arsyetim.

Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon gjithashtu që SHBA t’i bëjë presion Bashkimit Evropian që të unifikojë qëndrimin për Kosovën dhe të sigurojë njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të bllokut që nuk e kanë bërë këtë.

Komuniteti kërkon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shtojnë presionin ndaj autoriteteve të Beogradit për vendosjen e drejtësisë për vëllezërit Bytyçi, tre shtetasit amerikanë që janë vrarë në Serbi nëvititn 1999, gjatë kohës që mbaheshin në paraburgim në periferi të Beogradit, si edhe për një hetim serioz ndërkombëtar mbi përdorimin e dhunës seksuale si armë lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi”, theksohet në kërkesë.

Gjithashtu, kërkon që Uashingtoni të ushtrojë presion ndaj Serbisë që eshtrat e civilëve të ekzekutuar t’ua  kthejë familjeve të tyre, në mënyrë që kjo plagë të mbyllet përfundimisht.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Amerikë kërkojnë që SHBA të mos e lejojë Serbinë të  nxisë garë armatimi në  rajon, sepse kjo paraqet rrezik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Njëkohësisht kërkon që SHBA të forcojë aftësitë mbrojtëse të aleatëve më të mëdhenj të saj në rajon, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Një Kosovë më e fortë dhe një Shqipëri më e fortë vetëmsa do të ndihmojnë realizimin e interesit të SHBA-së për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkan”, theksohet në kërkesë.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Amerikë kanë një kërkesë specifikie edhe lidhur me dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ata kërkojnë që Uashingtoni të kundërshtojë formimin e një Asociacioni të komunave serbe në Kosovë, si strukturë me bazë etnike dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Është thjesht një projekt etnik, nacionalist, që synon minimalisht të paralizojë funksionimin e Kosovës si shtet dhe, në rastin më të keq, të mbjellë farën e një shkëputjeje tjetër në Ballkan. Aktualisht, një strukturë e ngjashme në Bosnje po e kërcënon Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”, thuhet në kërkesë.

“Ky skenar duhet të shmanget me çdo kusht në Kosovë”, theksohet aty.

Një tjetër kërkesë ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Aty thuhet se shqiptarët në Serbi duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me serbët në Kosovë.

“Të drejtat e njeriut janë universale dhe ato nuk duhet të ndryshojnë sipas përkatësisë etnike. Atë që Serbia kërkon për serbët etnikë në Kosovë, duhet t’ua ofrojë shqiptarëve etnikë në territorin e saj”, theksohet në kërkesë.

Po ashtu kërkohet që SHBA të ushtrojëpresion ndaj autoriteteve në Serbi që të ndalohet heqja e shtetësisë, çregjistrimi nga evidenca e gjendjes civile, heqja e të drejtës së votës dhe të të drejtave të tjera themelore për shqiptarët që jetojnë ose që kalojnë kohë jashtë vendit.

“Kjo nuk është asgjë më pak se vazhdimi i spastrimit etnik me mjete të tjera”, thuhet në kërkesën drejtuar Kongresit dhe administratës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kongresistja Maloney, pasi dëgjoi me vëmendje kërkesat e përfaqësuesve të shqiptaro-amerikanëve dhe argumentet e tyre, premtoi se do të vazhdojë të mbështesë të gjitha kërkesat legjitime dhe të drejta. Ajo theksoi se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Zonja Maloney ka thënë se ajo, bashkë me disa kongresistë të tjerë, do të shkojë së shpejti në Kosovë në një vizitë zyrtare, me qëllim që të njihet nga afër me zhvillimet aktuale atje.  

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që Kongresistja demokrate Carolyne Maloney takohet me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork, ku ajo gëzon respekt dhe përkrahje të madhe.

Ditë më parë, ajo dhe 11 kongresistë të tjerë, nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit Biden, kërkuan një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, posaçërisht në  Kosovë.

Carolyne Maloney është përfaqësuese e Nju Jorkut në Kongres prej vitit 1993. Prej atëherë ajo është avokuese e madhe e çështjen e Kosovës në Kongres dhe në qarqe tjera me ndikim në SHBA.

Ramadan Muçolli 

One Response to “Kongresistja Maloney në takim me shqiptarë në Nju Jork: SHBA mbështet kërkesat tuaja të drejta”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti says:

    Pergezimwt e ma ma te mra per kete inisative konstruktve ne sherbim e interesave te Kosoves. Ju uroj suksese te ma tejshme ne te ardhmen.
    Me lejoni te ju sugjeroj nji ide timen:
    Problemi kosovar duhet te trajtotohet sot e mbrapa si element krysor i problemit shqiptar Kemi dy shtete shqiptare por kemi vetem nji komb shqiptar. Per kete arsye veprimtaria e jone duhet te jete gjitheperfshirese dhe jo me karakter krahinor. Historia ka mundesi te na ofroje rastin e jashtezakonshem- por edhe te fundit- te krijimit te Shqiprise se vertete, idea e perhereshme e gjithe shqiptarve. Inistiva individuale,krahinore, partizanie e tjera, per mendimin ttmn na damtojne ma shume se na ndihmojne.
    Ky sugjerim vjen nga nji persone qe perkrahe pa rezerva çdo inisiative qe ka dimensionet e kombit shqiptar.