Korrupsioni dhe pagërrjedhja, shqetësimet kryesore të KE-së për Shqipërinë

Bruksel,15 shkurt 2022 – Korrupsioni në nivele të larta, rrjedhja masive e të dhënave të qytetarëve dhe agjencitë e krijuara së fundmi janë shqetësimet kryesore të Komisionit Evropian (KE) për Shqipërinë.

Këto priten të jenë temat kryesore në takimin e së martës të Komitetit të Stabilizim Asociimit, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Euronews Albania ka parë agjendën e takimit që do të mbahet të martën dhe një kopje të dokumentit që Komisioni Evropian e ka përgatitur për këtë takim, në bashkëpunim me vendet anëtare.

Komisioni ngre shqetësimin për Agjencinë për Media dhe Informim, për atë të Bashkëqeverisjes dhe për Agjencinë e koordinimit të donacioneve.

Ato janë krijuar pa vlerësuar dhe analizuar ndikimin që sjellin në qeverisje, kanë funksione të paqarta dhe u mungojnë mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies.

Komisioni pritet t’u kërkojë autoriteteve shqiptare që të hetojnë në mënyrë të paanshme dhe serioze rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve, si edhe të marrin masa që të mos ndodhin më incidente të tilla.

KE i sugjeron qeverisë shqiptare që ta përshtatë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale me atë të BE-së.

Komisioni kërkon rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit sidomos në nivele të larta. Ai ngre shqetësimin se ligjet kundër korrupsionit janë të copëtuara dhe ju mungon harmonia mes tyre. Në mënyrë të veçantë mungojnë përpjekjet dhe koordinimi për parandalimin e korrupsionit.

Komisioni është i mendimit se Shqipëria ka nevojë për një strategji të re kundër korrupsionit.

Ky është takimi i 12-të i Komitetit të Stabilizim Asociimit, i cili përcakton agjendën e Shqipërisë për integrimin evropian, ku jepet dhe një vlerësim për përmbushjen e deritanishme të çështjeve të ndryshme nga Komisioni Evropian.

(Euronews.al)

Comment

*