Korrupsioni eklipson dhe Diellin

“Unë nuk do të lejoj askënd të kalojë nëpër mendjen time me këmbët e tyre të pista.” (Gandi)

Nga Keze Kozeta Zylo

“Eclipse of the Sun” pikture e famshme ne Huntington, NY nga artisti gjerman George Grosz

Në Muzeun e Artit Heckscher, në Huntington, Nju Jork, ndodhet piktura më e famshme, “Eclipse of the Sun” realizuar nga artisti gjerman George Grosz, e pikturuar në vitin 1926.

Piktura akuzon regjimet e kohes nga artisti gjerman Grosz për realitetet politike dhe ekonomike të Gjermanisë gjatë Republikës së Vajmarit, veçanërisht interesat ekonomike që dominuan regjimin e ri.  Në pikturë janë disa personazhe rreth një tavoline përpara sfondit të një qyteti të djegur. Figura qëndrore është Presidenti, Paul Von Hindenburg, i cili dallohet nga mustaqet e gjata dhe uniforma e tij ushtarake me medalje. Ai ulet me dhëmbë të zbuluar, me një kurorë ironike dafine në kokë. Një shpatë e gjakosur dhe një kryq funerali në tryezën përballë Hindenburgut janë një kujtesë e rolit të tij në Luftën e Parë Botërore dhe jetëve të humbura.

Në tavolinë janë edhe katër financierë pa kokë, me veshje zyrtare. Një industrialist me një kapelë të lartë, me armë të vogla dhe një tren miniaturë nën krah, i pëshpërit me maturi në vesh Presidentit.

Implikimi është se ministrat pa kokë të qeverisë nuk mund të mendojnë vetë dhe thjesht u binden urdhrave të kapitalistëve dhe ushtarakëve.

Një gomar, i veshur me blinda të zbukuruar me shqiponjën gjermane, qëndron përballë një korite të mbushur me letra, ndërsa balancon në një dërrasë të lidhur me një skelet.

Gomari interpretohet nga historiani i artit Ivo Kranzfelder si një simbol i popullit gjerman, i përfaqësuar si pranues i çdo gjëje që i vihet përpara.  Gomari eshte i veshur me blinda të zbukuruar me shqiponjën gjermane.

Në të djathtë, njëri nga njerëzit pa kokë e mbështet këmbën në hekurat e burgut poshtë tij, përmes të cilit shihet fytyra e një të burgosuri. Në krye majtas është një diell i errësuar i ndriçuar nga shenja e dollarit amerikan. Kjo është një referencë për investimin e financave amerikane në ekonominë gjermane pas Luftës së Parë Botërore.

Muzeu i Artit rrethohet nga Parku “Heckscher” një park qetësues me jetë të gjallë, me muzikën e ujit, këngën e mjelmave.  Është një dhuratë për njerëzit e Huntington nga financuesi dhe filantropi i ndjerë August Heckscher dhe gruaja e tij Nannie A. Heckscher.

Ky park është një vend i mrekullueshëm për t’u qetësuar dhe komunikuar me natyrën magjike. Bëme një shëtitje të bukur rreth liqenit, pamë mjelmën e bardhë që shtronte vezë dhe bashkëshorti që rrinte roje i saj gjersa të dilnin zogjtë.

Historia dhe piktori George Grosz

Piktura u soll nga Grosz në Shtetet e Bashkuara kur u transferua atje në vitin 1933. Ajo mendohej e humbur, por u gjet në shtëpinë e një piktori shtëpie, Thomas Constantine, i cili e kishte mbajtur të mbështjellë në garazhin e tij për disa vite. Kur u gjet, u ekspozua në Galerinë Harbour në Cold Spring Harbor. Një përpjekje për mbledhjen e fondeve nga drejtori i parë profesionist i Muzeut të Artit Heckscher çoi në blerjen e pikturës nga muzeu për 15,000 dollarë në vitin 1968.

Muzeu planifikoi ta shiste pikturën në vitin 2009, por protesta e publikut i bëri ata të hiqnin dorë nga ideja.

George Grosz (1893-1959) ishte një udhëheqës në lëvizjen e artit Dada në Berlinin e viteve 1920. Ai u largua nga Gjermania pak para se Hitleri të vinte në pushtet. Grosz u ftua të jepte mësim në Lidhjen e Studentëve të Artit të Nju Jorkut dhe u transferua me gruan e tij në Shtetet e Bashkuara në 1933.

 “Në Eclipse of the Sun”, Grosz kap gjallërisht korrupsionin e shfrenuar politik dhe social që karakterizonte Gjermaninë në mes viteve 1920.

George Grosz ishte një frymëzues i gjallë që rrezikoi karrierën, familjen, sigurinë fizike dhe shëndetin mendor për të dhënë alarmin që në vitin 1923, duke parodizuar pikëpamjen e Hitlerit për nacionalizmin agresiv në veprën tallëse “Hitleri Shpëtimtar”.

Pas Luftës së Parë Botërore, shumë artistë u larguan nga një qasje ekspresioniste në favor të një përshkrimi më të ashpër dhe objektiv të botës, i cili u bë i njohur si lëvizja e Objektivitetit të Ri. Grosz, në veçanti, e përdori vizionin e tij në një kritikë të ashpër ndaj regjimit. Kjo e bëri jetën e tij më të vështirë dhe në fund ai zgjodhi emigracionin për të siguruar një liri më të madhe artistike”.

Cili ishte Presidenti i Gjermanisë nga viti 1925 deri në vdekjen e tij

Paul Ludwig Von Hindenburg ishte një marshall dhe burrë shteti gjerman i cili udhëhoqi Ushtrinë Perandorake Gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore.  Më vonë ai u bë President i Gjermanisë nga viti 1925 deri në vdekjen e tij.  Gjatë presidencës së tij, ai luajti një rol kyç në marrjen e pushtetit nga nazistët në janar 1933, kur, nën presionin e këshilltarëve të tij, ai emëroi Adolf Hitlerin si Kancelar të Gjermanisë.

Pasi Hindenburg vdiq vitin e ardhshëm, Hitleri kombinoi presidencën me zyrën e tij si kancelar përpara se të vazhdonte të shpallej Udhëheqës dhe Kancelar i Rajhut i Popullit Gjerman dhe e transformoi Gjermaninë në një shtet fashist.

Historitë ngjajnë ndaj dhe tregohen

E ndodhur përballë kësaj pikture tronditëse nuk ke se si të mos të shkojnë në mendje historitë rrënqethëse të korrupsionit galopant në At-Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur.  Ëndërroja të kishja një pikturë të famshme në muzetë më të njohura të botës nga ndonjë artist shqiptar rebel, që peneli i tij di t’i sjellë publikut artdashës botëror dhimbjen dhe sakrificat e panumërta të atij populli ku shumica vuan dhe largohet për bukën e gojës. Piktura që eklipson Diellin ngjan si dy pika uji dhe me historitë e qeverisjeve tona, ku këshilltarët pa kokë drejtojnë turmat të cilat tmerrohen dhe i zë gjaku nga shpatat dhe thikat e gjakosura…

Pushteti despotik shoqërohet gjithmonë me korrupsion të moralit.  Ndonëse me këtë shkrim nuk do të ndryshojë gjë, por të paktën jam në Paqe me vehten se sic thotë Mahatma Gandhi: “Unë nuk do të lejoj askënd të kalojë nëpër mendjen time me këmbët e tyre të pista.”

Cdo gjë u vodh, u pronësua nga të babëziturit, Diellit i zunë dritën me shuk dollarësh.

Përballë pikturës lutem: “Të lindet Artisti që të eklipsojë korrupsionin me Diellin e të vërtetës”!

23 Prill, 2023

Huntington, Nju Jork