Kosnett: Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Prishtinë, 16 qershor 2021 – Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnet tha se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se shtetet kanë detyrim që të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e tyre.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për Radion Kontakt Plus, një media në gjuhën serbe në veriun e Kosovës, përgjatë një vizitë në atë zonë.

“Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Kosnett sipas një përkthimi të radios Kontakt Plus.

Kosnett, duke u pwrgjigjur nw njw pyetje lidhur me kundwrshtimin e marrwveshjes pwr formimin e Asociacionit nga kryeministri i Kosovws, Albin Kurti, ka thwnw se “historia nuk fillon në ditën kur është formuar qeveria e Kurtit”.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë i bëri këto komente një ditë pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “Asociacioni nuk është për serbët, por kundër Kosovës, ashtu siç është dizajnuar”, pas pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

“Ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët. Pra, ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por, në të njëjtën kohë, nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnjës e Hercegovinës”, tha Kurti në Bruksel, duke u përgjigjur ndaj kërkesës së Beogradit për themelimin e atij asociacioni.

Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.

Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura, duhet të respektohen.

(r.m.)

Comment

*