Kosova bashkon edhe një herë Amerikën

Ruben Avxhiu

Rezoluta në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan kushtuar çështjes së vëllezërve Bytyçi u aprovua në mënyrë unanime.
Për shumë shqiptarë kjo tingëllon normale sepse e dinë sesa e drejtë është kauza e familjs Bytyçi. E dinë se çfarë krimesh monstruoze kanë kryer kriminelët serbë. U duket normale që Amerika të kërkojë llogari për vrasjen kriminale të tre nënshtetasve të saj.
Po kjo votë nuk ishte aspak normale. Jo për shkak të drejtësisë së çështjes Bytyçi, por për shkak të klimës politike në SHBA.
Amerika është sot më e përçarë se asnjëherë tjetër mbase në 50 vitet e fundit. Temat për të cilat demokratët dhe republikanët në Kongres ndahen sipas pikëpamjeve dhe jo sipas vijave partiake janë bërë gjithmonë e më të rralla.
Sikur të mos mjaftonin pikëpamjet shumë të ndryshme dhe përçarja totale në temat sociale e kulturore, Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë nisur një proces për paditjen dhe shkarkimin e Presidentit Donald Trump, i njohur në systemin amerikan si “impeachment” (impiçmënt).
Dyshimi dhe inati mes dy partive po arrin si asnjëherë në epokën tonë, nivele të cilat jemi mësuar t’i shohim në Ballkan, po jo në Perëndim.
Për fat të mirë ende ka qendrime të përbashkëta që nuk varen nga vijat partiake, sidomos në politikën e jashtme. E pamë së fundi, në kritikën në mbarë spektrin politik ndaj braktisjes që Presidenti Trump u bëri kurdëve në Siri. E kemi parë në deklaratat dhe rezolutat për NATO-n apo ato në vija të përgjithshme kundër Rusisë. Po të gjitha këto kanë pasur edhe përjashtimet e tyre.
Kemi hyrë në një periudhë ku një pjesë e opinionit publik dhe e politikanëve që kalërojnë dallgët e pakënaqësisë populiste priren të rishkruajnë historinë. Me synimin për të demaskuar dështimet e elitave politike në të kaluarën, janë duke hedhur baltë edhe mbi kauzat më të drejta e sukseset e qarta, siç është edhe çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës.
E djathta e re, në Europë, e prirur për të theksuar sa më shumë rrezikun e emigracionit në masë, sidomos nga vendet myslimane dhe në aleancë të natyrshme apo thjesht artificiale me Rusinë, shpesh e paraqet historinë e viteve 1990 në Ballkan sikur viktimat e vërteta kanë qenë serbët.
Në SHBA, e djathta e re është gjithashtu e prirur të shohë angazhimin në vende të vogla pa interes jetik amerikan si një humbje e panevojshme jetësh, energjish, e mbi të gjitha financash.
Kur mbi 400 kongresistë në Dhomën e Përfaqësuesve, që janë aq të ndryshëm sa si ndodhi edhe një ditë më parë ua prishën njëri-tjetrit një nga dëgjesat në calendar, për motive politike, bashkohen në atë mënyrë sa as edhe një i vetëm. Republikan apo demokrat. As edhe një nuk e kundërshtoi shprehjen e protestës së Kongresit Amerikan ndaj mungesës së dënimit të vrasësve të vërtetë të vëllezërve Bytyçi në Serbi.
Kjo ishte meritë edhe e kongresistëve Eliot Engel (D), Lee Zeldin (R), Chris Smith (R) etj që kanë bindur kolegët e tyre të lënë mënjanë përçarjet e thella për t’u bashkuar, duke na dhënë kështu jo vetëm një fitore për këtë familje të shumëvuajtur e heroike shqiptare, po edhe për komunitetin tonë, për Kosovën, për shqiptarinë, për humanizmin e për drejtësinë në botë. Ishte veçanërisht një fitore për vetë Amerikën, e cila u shfaq dje e bashkuar si në ditët e saj më të mira.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova e bën këtë. Që në fillim të lobimit shqiptar në SHBA, komuniteti ynë ka synuar që përpjekja të jetë dypartiake. Vizitat e para në Kosovë ishin nga figura të shquara si kongresisti Tom Lantos (Demokrat) e Senatori Bob Dole (Republikan). Kaukusi i Çështjeve Shqiptare në Kongres u themelua nga demokrati Engel dhe republikanja Susan Molinari dhe gjithnjë ka vijuar të ketë dy bashkëkryetarë nga secila parti.
Në mbështetje të ndërhyrjes në Kosovë, ne kishim republikanë si John Mc Cain e Ben Gilman që edhe kur kundërshtonin se donin më shumë rol të Kongresit, asnjëherë nuk e vunë në dyshim rëndësinë e ndërhyrjes.
Edhe në dekadën e kaluar, kur përçarja mes dy partive amerikane ishte përsëri shumë e thellë sidomos në politikën e jashtme për shkak të Luftës në Irak, përsëri një nga pikat e rralla të bashkimit ishte pikërisht Kosova. Ndaj edhe pavarësia e saj u pranua pothuajse unanimisht.
Nuk ka dyshim se Kosova nuk do të ishte askund pa ndihmën e Amerikës, po në raste të tilla, si vota për Bytyçin etj, ndonëse përsëri janë momente të ndihmës amerikane për Kosovën, është një kënaqësi e veçantë që të shohim edhe një kontribut në drejtim të kundërt. Kosova e bën Amerikën të tregojë pamjen e saj më të mirë.