Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatimin e marrëveshjes për energjinë

Bruksel, 21 qershor 2022 – Të martën në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth zbatimit të marrëveshjes për energjinë, nëntë vjet pas nënshkrimit të saj.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, shkroi se “Kosova dhe Serbia sapo kanë miratuar Udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë, në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, shkroi ai.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, shkroi menjëherë se “kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”.

Marrëveshja për energjinë ishte arritur në vitin 2013 dhe më pas qe konfirmuar në vitin 2015.

Marrëveshja e vitit 2013 parasheh që përveç Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike – KEDS, të licencohet edhe një kompani tjetër për shpërndarjen e energjisë elektrike.

Sipas udhërrëfyesit të dakorduar të martën, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do t’i jap licencë kompanisë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurohet që puna e asaj kompanie zhvillohet në përputhje me ligjet e Kosovës.

Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë?

  1. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do të lëshojë një licencë furnizimi për Elektroseverin. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ të Kosovës.
  2. Brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve, përmes Bashkimit Evropian.
  3. Brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshja për detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshja për kyçje me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorit të ri) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit 5 të marrëveshjes së vitit 2013.
  4. Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektroseveri do të pajisjet me Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer veprimtaritë e parashikuara me licencë.
  5. Në përputhje me nenin 14 të marrëveshjes për energjinë të vitit 2015, brenda periudhës 30 ditëshe nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS-i dhe KOSTT-i (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër të shpërndarjes
  6. Brenda 45 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT-i dhe KEDS-i pas konsultimit me Elektroseverin do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese
  7. Brenda 21 ditësh pas dorëzimit të planit të investimit dhe kostos së kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE-ja do të aprovojë në parim këto plane, kostot dhe humbjet.
  8. Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditësh të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektroseverin, në konsultim paraprak ndërmjet palëve, e të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, brenda një afati kohor prej 15 ditësh. BE-ja do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën nga njëra palë.
  9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit është pa paragjykim ndaj detyrimit të palëve për të zbatuar plotësisht marrëveshjet energjetike të vitit 2013 dhe 2015.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

(Zëri i Amerikës)