Kosova duhet të kërkojë pronat e shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit

Emin AZEMI

Kosova tash e tutje, në kanale të ndryshme diplomatike e shtetërore  duhet të insistojë që të gjitha tapitë e pronave që ndodhen në arkivat e Turqisë, t’u kthehen pronarëve shqiptarë të Sanxhakut të Nishit. Serbia para se të kërkojë bosnjizimin e Kosovës, le t’i kthejë pronat e shqiptarëve (12.000 km2) të dëbuar me dhunë nga Sanxhaku i Nishit, sepse ky është edhe detyrim nga dokumenti final i Kongresit të Berlinit.

 

Të gjitha pronat e shqiptarëve të shpërngulur në prag të Kongresit të Berlinit (1878) nga Sanxhaku i Nishit, përfshi Kazanë e Pirotit, Kazanë e Vrajës, Kazanë e Toplicës, të Kurshumlisë, të Jagodinës etj. posedojnë tapia të cilat aktualisht ndodhen në arkivat e Turqisë. Është një detyrim që del nga dokumenti final i Kongresit të Berlinit (neni 29 dhe 35) i cili e obligonte Serbinë t’i kthente shqiptarët e shpërngulur me dhunë, ose t’ua kthente pronat e uzurpuara pas dëbimit të tyre.

Pastrimi etnik i vendbanimeve shqiptare në Sanxhakun e Nishit, që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, përbën parahistorinë e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Institucionet e Kosovës do të duhej që ta përfshijnë në dosjen e padisë për gjenocid edhe këtë krim të Serbisë, të ushtruar mbi popullin shqiptar. Por, përtej kësaj, Kosova tash e tutje, në kanale diplomatike e shtetërore duhet të insistojë që të gjitha tapitë e pronave që ndodhen në arkivat e Turqisë,  t’u kthehen pronarëve shqiptarë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të procesohet në gjykata ndërkombëtare çështja e kthimit të këtyre pronave. Për një angazhim të tillë kolosal, nevojitet edhe kontributi i Tiranës zyrtare, duke aktivizuar edhe njohjet personale të Edi Ramës me Taip Rexhe Erdoganin.

 Prof. dr. Ramiz Abdyli teksa e trajton këtë problematikë në librin e tij të fundit “Shkupi në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, ndër të tjera shkruan: “Si rrjedhojë e dhunës, terrorit e të gjenocidit të ushtrisë e të xhandarmërisë serbe,  Sanxhaku i Nishit, përfshi Kazanë e Pirotit dhe Kazanë e Vrajës, do të ktheheshin në toka të pastra serbe që kapnin një sipërfaqe prej rreth 12.000 km2”.  Prof Abdyli, i referohet edhe Akademik Gazmend Zajmit, i cili shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje, e ka cilësuar formë të gjenocidit: “Shpërngulja e qëllimshme dhe e dhunshme e popullatës është shënuar si krim gjenocidal në kuadër të krimit kundër njerëzimit”.

Shqiptarët edhe aktualisht në jug të Serbisë po përjetojnë tkurrje dhe shpopullim, që burimin e ka në projektet gjenocidale të shekullit 19, atëherë kur u zbrazën afro 1000 fshatra nga Toplica,Nishi,Pustareka, Kurshumlia, Vranja, Medvegja etj.

Nesër (e hënë) në Bruksel pritet të vazhdojë raundi i dytë i negociatave Kurti-Vuçiq.

Beogradi insiston në formimin e Asociacionit në Bruksel, sepse ky, sipas politikanëve serbë, është “shpirti” i Marrëveshjes së Brukselit dhe “themeli rreth të cilit ishte dialogu dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.

Insistimi i  politikanëve serb nuk është bash edhe i kotë, sepse ata ishin mësuar që pas çdo shantazhi drejtuar Prishtinës zyrtare, të pasojë nga një lëshim i turpshëm i politikanëve pararendës, të cilët me të dy duart e nëshkruan bosnjizimin e atdheut të tyre.

Pas çdo shantazhi nga Beogradi, pasonte një zbythje e politikanëve nga Kosova, të cilët marrjen me politikë e kishin  kuptuar si pazarllëk ku këmbehej interesi i përgjithshëm me mirëqenien personale.

Nëse serbët insistojnë ta trajtojnë Asociacionin si “shpirtin” i Marrëveshjes së Brukselit, atëherë Kryeministri Kurti dhe ekipi i tij, duhet ta trajtojë Sanxhakun e  Nishit si një tokë e uzurpur arbitrarisht që pret t’i dorëzohet pronarit.

Në bisedimet Kosovë – Serbi duhet të dominojnë kërkesat e Prishtinës zyrtare deri atëherë sa Beogradi të bindet se me shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë marrëveshje deri sa të mos shlyhen të gjitha borxhet ndaj tyre.

Comment

*