Kosova e fiton në Arbitrazh kontestin me një kompani kroate

Prishtinë, 10 shtator 2021 – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se e ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit me një kompani kroate.

Me fitimin e këtij rasti, buxhetit të shtetit i janë shpëtuar mbi 18 milionë euro, sa kërkonte kompensim kompania kroate IMING d.o.o, e cila e kishte paditur shtetin e Kosovës në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit fiton kontestin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas padisë së parashtruar, më datën 1 prill 2019, për kompensim dëmi dhe fitimi të humbur në vlerë prej 18,121,690.17 milion Euro nga pala paditëse IMING d.o.o Strobec – Republika e Kroacisë. Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte paditur në cilësi të administratorit të ndërmarrjes shoqërore ‘’MIM Goleshi‘’ Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit. Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të UNICITRAL-it të vitit 2010”, thuhet në njoftim.

AKP ka bërë me dije se vendimin e Tribunalit e kanë pranuar sot, ku thuhet se kompania paditëse do t’ia paguajë Agjencisë edhe mbi 340 mijë euro, në emër të shpenzimeve procedurale.

“Pas një procesi të gjatë gjyqësor, AKP ka pranuar sot, më 10 shtator 2021, vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, me ç ‘rast mbrojtja ligjore e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka sjellë fitore në këtë kontest. Veç mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, me këtë fitore janë ruajtur edhe fondet publike prej 18,121,690.17 milion Euro. Sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pala paditëse, për më tepër, obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të Tribunalit t’ia paguajë Agjencisë Kosovare të Privatizimit shumën prej 342,954.67 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.

(r.m.)