Kosova e gatshme për zgjedhjet e 17 tetorit

Prishtinë, 15 tetor 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale 2021 që do të mbahen të dielën, më 17 tetor.

Në një konferencë të përbashkët për media është bërë e ditur se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 17 tetorit do të angazhohen 3,352 zyrtarë policorë dhe 80 prokurorë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshik Radoniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe t’i zgjedhin kryetarët e komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.

“Ftoj subjektet politike, kandidatët për asamble dhe çdokënd tjetëe që ka rol në procesin zgjedhor t’i përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore, në të kundërtën rrezikojnë të krijojë vepër penale të paraparë në Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Radoniqi.

KQZ-ja ka bërë të ditur se nga Qeveria e Kosovës ka bërë kërkesë që të hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00, por ende nuk e ka marrë aprovimin e kësaj kërkese nga qeveria.

Drejtori i përgjithshëm i Policës së Kosovës, Sabedin Mehemti, ka thënë se policia do t’i vë të gjitha kapacitetet në funksion të ruajtjes së sigurisë publike para votimit, gjatë votimit dhe pas votimit.

Mehmeti ka bërë të ditur se deri më tani janë iniciuar dy raste penale për dëmtim i billbordeve, 14 raste kundërvajtjeje për mosrespektim të masave kundër COVID-19.

Ai ka treguar se policia i ka monitoruar 863 tubime të subjekteve politike, duke shtuar se në 18 prej tyre janë mbajtur duke mos i përfillur procedurat.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se tashmë janë finalizuar të gjitha përgatitjet për ruajtjen e votës së lirë të qytetarëve në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës do të jenë gardianë të mbrojtjes së votës, ashtu që do të ndalojnë të gjithë votuesit që do të keqpërdorin votën, njëkohësisht do të ndalojmë dhe arrestojmë edhe zyrtarët përgjegjës të cilët në çfarëdo mënyre ndikojnë apo tentojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit”, ka thënë Pula.

KQZ-ja ka bërë të ditur se në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 17 tetorit gjenden 1 milion e 885 mijë e 448 votues, 90.586 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

(r.m.)