Kosova eksportuese e shërbimeve në sektorin e IT-së

Prishtinë, 16 korrik 2022 – E nxitur nga potenciali që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informimit dhe komunikimit (IT), kompania gjermane “Borek Solutions” ka hapur zyrë në Prishtinë.

Njëri nga udhëheqësit e saj, Paul Schmieder, thotë se numri i madh i të rinjve të arsimuar në fushën e IT-së, i atyre që flasin dy e më shumë gjuhë të huaja, si dhe afërsia gjeografike e Kosovës me vendet evropiane, kanë qenë ndër faktorët kryesorë që e kanë shtyrë kompaninë e tij të zgjerojë biznesin edhe në Kosovë.

“Gjuha këtu nuk është fare problem. Këtu mund të flisni në anglisht, në gjermanisht, nganjëherë edhe në italisht apo gjuhë të tjera, dhe kjo e bën tepër të lehtë komunikimin. Gjenerata e re është po ashtu element që ne e kërkojmë dhe kjo nganjëherë mungon në Gjermani. Energjia dhe kreativiteti janë ato që kjo gjeneratë mund t’i sjellë”, thotë Schmieder për Radion Evropa e Lirë.

Kompania e tij, që ofron shërbime të ndryshme në fushën e teknologjisë informative, ka zyrë edhe në Indi.

Stafi i “Borek Solutions” në Kosovë dhe në Indi bashkëpunon me kompani të mesme në Gjermani, në Britani të Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Klientët na drejtohen neve dhe na thonë: Hej, ne duam të formojmë një ekip të marketingut, të dizajnit, për zhvillim të softuerëve, apo për ndihmë konsumatorëve në fushën e IT-së në gjuhën gjermane apo angleze. Ne u ndihmojmë t’i formojnë këto ekipe, duke iu ofruar produkte të ndryshme”, shpjegon Schmieder.

“Borek Solutions” ka hapur zyrën në Kosovë më 6 qershor dhe aktualisht ka dhjetë të punësuar. Në nivel të kompanisë, në total janë rreth 200 punëtorë.

Begu: Potencial shumë, por mbështetje pak

Sektori i IT-së në Kosovë është relativisht i ri, pasi ka filluar të zhvillohet në fillim të viteve 2000.

Që nga ajo kohë janë themeluar dhjetëra kompani vendore për plotësimin e nevojave lokale në fushën e IT-së. Por, viteve të fundit, është në rritje numri i kompanive që, kryesisht, i shesin shërbimet dhe produktet e tyre për kompani të ndryshme në botë.

Sipas njohëseve të kësaj fushe, sektori i IT-së është duke u zhvilluar vrullshëm, për shkak të numrit të madh të të rinjve që përfundojnë universitetet dhe që kryejnë kurse në këtë drejtim.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se Kosova ka një popullsi relativisht të re, me një moshë mesatare 35 vjeç.

Përveç kësaj, Kosova ka edhe nivel të lartë të përdorimit të internetit, të krahasueshëm me disa prej shteteve më të zhvilluara evropiane, si Gjermania dhe Danimarka.

Sipas ASK-së, gjatë vitit 2021, ekonomitë familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë – përmes çfarëdo pajisjeje – në nivel prej 96.1 për qind.

Të gjitha këto elemente, Kosovën e bëjnë një vend atraktiv në sektorin e IT-së, thotë Uranik Begu, udhëheqës i Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK).

Begu thotë se kërkesa globale për shërbime dhe produkte në sektorin e IT-së është duke u rritur çdo ditë.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të lejojë zbehjen e potencialit të saj, duke mos krijuar programe edukative dhe duke mos i mbështetur organizatat që e zhvillojnë sektorin e IT-së.

“Mungesa e kuadrove dhe talentit në raport me kërkesën, sidomos në Evropë, por edhe globalisht, është në rritje. Prandaj, është një mundësi e mirë për ne, si Kosovë, që ta shohim këtë sektor si sektor me potencial dhe ta shërbejmë këtë treg që e ka një zbrazëti të madhe në raport me kërkesën”, thotë Begu për Radion Evropa e Lirë.

Por, sipas tij, mungesa e mbështetjes institucionale për sektorin e IT-së në Kosovë është e vërejtshme.

Si shembull, Begu merr organizatën që drejton, ICK-në, për të cilën, siç thotë, në dhjetë vjet të funksionimit, nuk ka pasur mbështetje institucionale. Kjo, edhe përkundër faktit se në ICK, sipas tij, janë aftësuar mbi 8.500 të rinj dhe të reja, si dhe janë mbështetur mbi 550 biznese.

ICK-ja, thotë Begu, funksionon vetëm përmes granteve dhe donacioneve nga organizata ndërkombëtare.

Begu thotë se pa fuqizimin e edukimit dhe pa rritjen e mbështetjes nga institucionet, sektori i IT-së në Kosovë mund të humbasë potencialin që ka.

“Me pak investim në edukim dhe trajnime mund të krijojmë ndoshta një bazë të re, të qëndrueshme dhe afatgjate, që me të vërtetë të krijojmë mundësi për të rinjtë dhe të rejat në Kosovë”, thotë Begu.

Ndër shërbimet kryesore që ofrojnë kompanitë kosovare për tregun e jashtëm, janë: zhvillimi i softuerëve, mbështetja për klientët, qendra të thirrjeve, pjesë kreative në dizajn, dizajn i ueb-faqeve, animim, marketing e të tjera.

Zagragja: Kosova mban primatin – rajonit i ka ikur truri i IT-së

Ndërmarrësja në fushën e IT-së në Kosovë, Jeta Zagragja, thotë se Kosova mban primatin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sa i takon ofrimit të shërbimeve IT për kompanitë e jashtme.

Këtë primat, sipas saj, Kosova e ka për faktin se rajoni është prekur nga ajo që njihet si ikje e trurit, apo largimi i të rinjve të kualifikuar për të punuar për kompani më të mëdha jashtë vendit.

“Kosova nuk është përballur ende shumë me ikje të trurit, siç janë përballur Kroacia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Pra, ne ende jemi burim i qëndrueshëm për ofrim të shërbimeve për këto kompani”, thotë Zagragja për Radion Evropa e Lirë.

Por, edhe ajo tërheq vërejtjen se ky avantazh i Kosovës mund të humbet shpejt, nëse, siç thotë, nuk krijohen programe të reja të edukimit më cilësor të të rinjve.

MASHT: Të fokusuar në digjitalizimin e arsimit

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës thonë se janë të fokusuar në digjitalizimin e arsimit, si dhe në zhvillimin e resurseve njerëzore në sektorin e IT-së.

Zëvendësministri i MASHTI-t, Dukagjin Pupovci, thotë për REL-in se ky institucion, së voni, ka hartuar Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë 2022-2026, ku, mes tjerash, parashihet digjitalizimi i arsimit.

“Brenda kësaj objektive i kushtohet rëndësi e veçantë furnizimit të shkollave me infrastrukturë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke filluar nga rrjetet lokale e deri te kompjuterët dhe aksesorët”, thotë Pupovci.

Ai shton se qëllim kryesor është ngritja e kompetencës digjitale te nxënësit dhe mësuesit, gjë që, sipas tij, do të ndikojë pastaj në zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë.

Përveç universiteteve publike, në Kosovë ekzistojnë disa universitete private që ofrojnë programe të ndryshme në fushën e IT-së.

Kontribut në zhvillimin e këtij sektori japin edhe kompanitë dhe organizatat joqeveritare, që organizojnë kurse të ndryshme.

Nga bashkëpunimi që ka pasur me shumë të rinj, Zagragja thotë se programuesit më të mirë kanë qenë ata që e kanë përvetësuar këtë zanat përmes kurseve dhe librave të ndryshëm.

“Problemi kryesor te ne në sistemin e edukimit është krijimi i aftësive të mendimit kritik, logjikës, që janë bazë e perfeksionimit më tutje. Disa të rinj gjejnë mënyra të ndryshme për t’u aftësuar, sepse ne, në kompani, disa prej programueseve më të mirë i kemi pasur prej atyre që e kanë mësuar programimin përmes kurseve online, librave të ndryshëm… që kanë filluar me projekte dhe që kanë mësuar programimin”, thotë Zagragja.

Të destinuar për eksport

Edhe pse i zhvilluar vonë në raport me shtetet e tjera evropiane, sektori i IT-së në Kosovë ka arritur të thyejë izolimin dhe t’i shesë jashtë vendit shërbimet dhe produktet.

Sipas një studimi të publikuar në maj të vitit 2021 nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), rezulton se mbi 90 për qind e kompanive me bazë në Kosovë i eksportojnë shërbimet dhe produktet e tyre.

“91.18% e kompanive të IT-së që kanë marrë pjesë në hulumtim, i eksportojnë shërbimet/produktet e tyre në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me 5.88% të kompanive që punojnë vetëm në nivel lokal”, thuhet në raport.

Raporti, po ashtu, nxjerr në pah se shtetet që kanë potencialin më të madh për të eksportuar shërbime dhe produkte për kompanitë kosovare janë Zvicra dhe Gjermania, të ndjekura nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar.

(Shkëlqim Hysenaj, REL)