Kosova është më sovrane kur përkrahet nga Amerika

Shkruan: Pëllumb Kelmendi

Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, dhe reagimet e zemëruara të Uashingtonit zyrtar, duket se kanë ngritur dilema tek disa njerëz se ndoshta Kosovës i duhet të zgjedh në mes të forcimit të sovranitetit të saj dhe mirëmbajtjes së partneritetit me SHBA-të. Kjo dilemë është sa e rrejshme aq edhe e rrezikshme. Sovraniteti i Kosovës vetëm forcohet duke e përforcuar aleancën me SHBA-të.

Kosovës i nevojitet jo vetëm ushtrim më i gjërë i kontrollit të territorit të saj, por edhe njohje nga shtete të tjera. Kosova ka nevojë jo vetëm t’i ndalojë ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të saj, por edhe t’i përshpejtojë anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Kosova ka nevojë jo vetëm për pavarësi në vendimmarrje, por edhe për rritje të ndikimit të saj ndërkombëtar në mënyrë që t’i avancojë interesat shtetërore.

Sovraniteti është koncept që shkakton polemika edhe mes studiuesish të politikës, por shumica pajtohen se sovraniteti ndërthurr në vetvete disa kuptime dhe disa dimenzione. Megjithatë, në të gjitha kuptimet e sovranitetit – të atij legal ndërkombëtar, uestfalian, të ndërvarësisë, apo të sovranitetit të brendshëm – Kosova ka qenë dhe do të jetë më sovrane për shkak të partneritetit të fortë me SHBA-të. Të gjitha dimenzionet e sovranitetit të Kosovës –  si autoriteti, si pavarësia, si ndikimi i saj – janë forcuar dhe do të mund të përforcohen përmes një aleance të fortë me SHBA-të.

Aleanca e Kosovës me SHBA-të është asimetrike, dhe si e tillë karakterizohet natyrshëm me ndikim më të madh të aleatit më të fuqishëm.  Por ditëve të fundit, disa në Kosovë kanë filluar ta kritikojnë ashpër ndikimin dhe ndërhyrjen këmbëngulëse të SHBA-ve në punët e Kosovës. Mirëpo ia vlen të rikujtohet se ndikimi dhe ndërhyrja këmbëngulëse amerikane kanë luajtur rol vendimtar në çlirimin e Kosovës në 1999, në deklarimin e pavarësisë me 17 Shkurt 2008, në njohjen e saj nga Kosta Rika po atë ditë, në njohjen nga Mali i Zi e Maqedonia fqinje disa muaj më vonë, në anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar e Bankën Botërore në 2009, në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës më 2010, në shndërrimin e FSK-së në ushtri në 2018 si dhe në pjesëmarrjen e saj të parë në një mision paqeruajtës në 2021. Pa ndikimin, ndërhyrjen dhe këmbënguljen amerikane nuk do ta kishim as njohjen e parë nga Kosta Rika, as njohjen e fundit nga Izraeli, as shumicën dërmuese të njohjeve tjera në mes. Dhe nëse shpresojmë të anëtarësohemi një ditë në BE dhe NATO, do të nevojitet sërish ndikimi, ndërhyrja dhe këmbëngulja amerikane për të na njohur Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia, e Qipro, dhe për të na e aprovuar anëtarësinë shumë nga të tjerët.

Fatkeqësisht, këto ditë diplomatët e SHBA-ve nuk po flasin më për anëtarësim të Kosovës në BE, por për mosangazhim për njohje të reja. Anëtarësimi në NATO ndërkaq duket edhe më i largët për shkak të vendimit që të përjashtohet FSK-ja nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 23”. Sot Kosova po qortohet me gjuhën më të vrazhdë diplomatike nga SHBA, dhe po izolohet nga miqtë e saj më besnik. Këto ditë Kosova ka më pak autoritet, më pak autonomi, dhe më pak ndikim. Kosova këto ditë rrjedhimisht është më pak sovrane.

Pse po ndodh kjo? Ka shumë arsye, por kryesorja është paaftësia për t’i mirëmenaxhuar raportet me SHBA-të në kontekstin e ri gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë. Një prej qëllimeve parësore të SHBA-ve në rajonin tonë për momentin është evitimi i një krize në Ballkan përderisa vazhdon lufta në Ukrainë. Mungesa e stabilitetit në Ballkan do t’i shpërqëndronte vëmendjen dhe burimet e SHBA nga Ukraina, gjë që do t’i shkonte për shtati Rusisë. Ky insistim për stabilitet  në rajon e ngushton hapësirën e manovrimit, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, dhe paraqet si mundësi të reja ashtu edhe rreziqe të reja.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të veprojë me zgjuarsi dhe gjakftohtësi, dhe duhet t’i bashkërendojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me ato të SHBA-ve edhe më shumë se zakonisht. Kjo nuk është duke ndodhur sa e si duhet. Përkundrazi. Në tentim për ta forcuar autoritetin e brendshëm, qeveria e Kosovës ka krijuar bindjen e shumë njerëzve në Uashington se është e gatshme të rrezikojë edhe stabilitetin e rajonit. Kjo është qartazi e papranueshme për SHBA-të në këtë moment dhe rrjedhimisht e dëmshme për raportet tona. Këto veprime, fatkeqësisht, e kanë zvogëluar peshën e kontributit që ka dhënë Kosova për siguri ndërkombëtare, përfshi në luftën kundër ekstremizmit dhe në strehimin e refugjatëve afganë.

Për më tepër, angazhimi diplomatik i Kosovës në SHBA ka qenë i pamjaftueshëm. Madje për një kohë të gjatë ambasada e Kosovës në Uashington ka qenë me ushtrues detyre. Serbia në anën tjetër ka investuar jashtëzakonisht shumë në promovimin e axhendës së saj. Fatkeqësisht, në vend se Uashingtoni të brengosej për vazhdimësinë e politikave destabilizuese të Beogradit, SHBA po alarmohet nga vendimet e papeshuara e të pabashkërenduara të Kosovës. Në anën tjetër, disa në Uashington kanë filluar të besojnë që mund ta zhvendosin gradualisht Beogradin në shtyllen perëndimore, përkundër marrëdhënieve me Rusinë e Kinën si dhe rolin e tij destruktiv në rajon. Kjo mund të duket ambicioze ose jorealiste, por politikat e Uashingtonit nuk sfidohen me veprime të pamatura. Ato zhvillohen e marrin nuanca kur e kemi një politikë të jashtme dinamike e të fortë.

Qeveria e Kosovës duhet të investojë në një diplomaci më të zgjuar e më proaktive, në mënyrë që t’i përafrojë synimet e SHBA për rajonin me interesat dhe synimet e Kosovës. Dhe, mbi të gjitha, qeveria e Kosovës duhet ta rikthejë besimin e SHBA sa më shpejt. Kjo fillon me evitimin e politikave të pakoordinuara që kanë implikime për sigurinë, si në rastin me targat dhe tash me kryetarët e komunave. Veprimet e tilla të pabashkërenduara mund të duken sikur e forcojnë sovranitetin e vendit, por duke i zbehur marrëdhëniet me aleatin kryesor, ato vetëm e dobësojnë atë. Kosova është më shumë sovrane me FSK-në në Defender 23 se me kryetarin e posazgjedhur të Leposaviqit të ngujuar në ndërtesën e komunës. Aleanca me SHBA është pjesë e qenësishme e interesit kombëtar, është shtyllë e sigurisë kombëtare, dhe është domosdoshmëri për shtrirjen e brendshme dhe forcimin e jashtëm të sovranitetit. Prandaj Kosova është më shumë sovrane kur aleanca e saj me Amerikën është e fortë.

Autori i këtij shkrimi është profesor i Shkencës Politike në Universitetin Auburn, në SHBA.