Kosova është prova se Holokausti duhet kujtuar

Një argument pse ankesat për mungesë njohjeje nga Izraeli janë pa vend në ditën e përkujtimit

Nga Ruben Avxhiu

E kam shkruar edhe më parë po ndoshta duhet përsëritur pas veprimtarisë së bukur të Shqipërisë në OKB në bashkëpunim me Kongresin Botëror Hebre.
Unë nuk besoj se Kosova duhet të kërkojë njohjen nga Izraeli duke përmendur shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët gjatë Holokaustit.
Të paktën për dy arsye kryesore. E para, nuk jep rezultat. Izraeli ka vonuar njohjen e Kosovës, jo për arsye morale po për arsye konkrete shtetërore. Druhet se do të përdoret si precedent për krahinën e Galilesë në Izrael ku ka popullsi arabe. Izraeli është për arsyet e tij unike, jo simpatizues ndaj ndërhyrjes botërore për zgjidhjen e konflikteve lokale me drojën se do të diskriminohet në zgjidhje.
E dyta, që më duket më e rëndësishme për ne shqiptarët është se kërkesa e bazuar në atë mënyrë, ofendon aktin e madh të shqiptarëve gjatë Holokaustit. Shqiptarët, që i përkisnin një brezi, për mendimin tim, shumë më të ndryshëm, se brezat e kohës sonë, nuk i shpëtuan hebrenjtë se prisnin shpërblime. Është qesharake të evokosh Besën dhe pastaj të presësh që miku të ketë detyrime ndaj teje se pse e respektove.
Akti i shqiptarëve është i jashtëzakonshëm pikërisht se u krye në mënyrë të thjeshtë. Jo si një qendrim politik e ideologjik. Ishte një akt thellësisht njerëzor i shpëtuar prej politikës. Apo më saktë përkundër poltikës. Shpëtimi i hebrejve madje mbeti i zhytur në harresë pikërisht prej politikës. Dhe nuk ka gjë më të neveritshme sot kur politikanë që vjedhin e mashtrojnë popullin e tyre kapardisen nëpër forume duke folur për një akt të cilin ata vetë as që imagjinohen që ta kryenin.
Hebrenjtë që kanë dijeni për aktin e shqiptarëve shpesh kanë bërë gjëra që kanë ndihmuar shqiptarët. Po jo për t’u kthyer “borxhin”. Ajo që ndodh është se virtyti pjell virtytin. Humanizmi është ngjitës. Shqiptarët nuk shpëtuan hebrejtë si pjesë e një vendimi politik nga Shqipëria apo Kosova. Ishte një akt i njerëzve të të gjitha shtresave. Dhe hebrenjtë që kanë dijeni për aktin e shqiptarëve, në shumë situata ku kanë pasur mundësi kanë bërë diçka për shqiptarët.
Të mos harrojmë se serbët janë përpjekur për më shumë se 20 vjet që të luajnë politikë me Holokaustin, duke i paraqitur shqiptarët si pronazistë, në kohën kur serbët humbën një përqindje të lartë të popullsisë, duke treguar se si në kohën e Holokaustit, Kosova iu bashkua Shqipërisë etj. Apo i paraqesin shqiptarët si fondamentalistë islamikë, duke i krahasuar me ISIS etj. Numërojnë 300 hebrenjtë që u lidhën në pranga e u dërguan nga Kosova në kampet naziste të përqendrimit ku vdiqën të gjithë. Numërojnë sa shqiptarë shkuan në Siri e Irak. E të tjera.
Kjo propagandë në vite ka pasur në shënjestër veç të tjerash anëtarët hebrenj të Kongresit, medias amerikane, administratës amerikane etj, përfshi edhe kongresitët e njohur si Tom Lantos, Eliot Engel etj. Dhe kanë dështuar me turp.
Kjo këmbëngulje që Izraeli të njohë Kosovën, padyshim duhet të vijë nga meraku që Kosovën ta njohin sa më shumë vende, se ndryshe më tingëllon në mos si injorancë, si një tjetër paragjykim ndaj Izraelit.
Që të jem i qartë, Kosova vetë është treguar e kujdesshme që të mos e bëjë atë gabim. Kërkesat e Kosovës ndaj Izraelit kanë qenë serioze dhe profesionale. Të kërkosh nga Izraeli që të njohë Kosovën duhet të jetë pjesë e punës së çdo diplomati.
Problemi zakonisht vjen nga personazhe të revoltuara që presin vendime politike për shkak të veprimeve njerëzore që ishin në thelb antipolitike. Ata që ofendohen nga vonesa e njohjes sigurisht nuk janë as shpëtuesit e hebrejve, as kanë lidhje personale me shpëtuesit e hebrejve as nuk besoj se kanë të drejtë të flasin në emër të aktit të shqiptarëve.
Nuk janë të vetëm. Ka shqiptarë që u bëjnë shantazh heberejve që njohin për t’u kërkuar vende pune, para borxh etj duke ua përmendur e stërpërmendur një akt për të cilin ata vetë nuk kanë asnjë meritë e që po të kishin mundësi vetë nuk do ta kishin kryer kurrë. Ka abuzues kudo. Po ka edhe halle njerëzore. Nuk do t’i fus të gjithë në një thes.
Vetëm se një gjë, më duhet ta them. Kur dikush ngrihet dhe i tund gishtin Izraelit se pse nuk po njoh Kosovën, nuk është duke i bërë Kosovës ndonjë nder. Është thjesht duke keqintepretuar arsyet e ngurrimit të Izraelit. Një këshillë mbase, ka vend, këtu: Lëjani Kosovës të ankohet.
Akti i shpëtimit gjatë Holokaustit është i madhërishëm. Mënyra e vetme e jona, e brezit tonë, për të kontribuar që ta fuqizojmë atë është duke treguar modesti dhe krenari për të, duke refuzuar konceptin që presim apo është pritur ndonjë shkëmbim ndonjëherë për të. Çdo mënyrë tjetër sjellje është një tradhëti ndaj atij brezi që na dha ne dhe gjithë botës një mësim të madh.
Në fund, sa për njohjen nga Izraeli e kam shpjeguar edhe më parë pse SHBA dhe aleatët tanë nuk kanë këmbëngulur për ta siguruar. Unë besoj se SHBA do ta siguronte si njohje nëse do të ishte kyçe.
Po ka njohje që sjellin një zinxhir njohjesh të tjera, ka edhe njohje që pastaj keqpërdoren nga Serbia që të pengojnë njohje të tjera. Me mbi 50 shtete, anëtare të OKB-së, në Konferencën Islamike, interesat strategjike të njohjes kanë qenë të tjera.
Në mënyrë të ngjashme nuk do të doja që Kolumbia ta kishte njohur aq shpejt Kosovën. Do të kisha preferuar që Pakistani të kishte pritur sa ta njihte India Kosovën etj. Po nganjëherë duhet të marrësh atë që vjen kur e di që nuk mund t’i fitosh të gjitha njohjet. Një vonesë e njohjes nga Hungaria, mund të na kishte ndihmuar me Rumaninë dhe Sllovakinë. Kush e di. Shumë nga këto mbeten thjesht spekulime. Po sa herë që dëgjoj dikë që flet me revoltim se pse Izraeli nuk po e njeh Kosovën pasi që kemi shpëtuar hebrenj, shoh dikë që ose nuk e kupton aktin e madh të shpëtimit, ose dikë që ka inate të tjera me shtetin izraelit.
Në fund, do të thoja që ka, në fakt, kontekst të rëndësishëm në të cilin Kosova dhe Izraeli duhet të përmenden së bashku. Asnjë popull në Europë nuk mund ta kuptojë Holokaustin sa shqiptarët e Kosovës, që vetëm pak vite më parë u masakruan e u hodhën në varre të përbashkëta, ua vodhën trupat e të vrarëve e ua fshehën në Serbi, i futën në trena mallrash e i dëbuan si të ishin shtazë, u torturuan, përdhunuan e ofenduan vetë për shkak të identitetit të tyre.
Holokausti përkujtohet me shpresën se duke u kujtuar tragjedi të tilla nuk do të përsëriten më. Po në Kosovën e viteve 1990 Europa shkoi aq afër përsëritjes sa qe e mundshme. Historia e Kosovës dëshmon se thirrja për ta mbajtur mend Holokaustin, për të cilën luten aq shumë të mbijetuarit e fundit të tij, që janë ende gjallë, është legjitime. Kosova është prova se tragjedi të tilla mund të përsëriten. Se politika nacionaliste e diskriminuese mund të marrë përmasa çnjerëzore edhe në kohën tonë.
Kjo, më shumë se vendimi politik i njohjes do të bashkonte së bashku popullin e Izraelit dhe atë të Kosovës. Njohja pastaj sigurisht që do të vijë. Po të them të drejtën do ta kisha zgjedhur një mijë herë njohjen prej cilindo nga pesë vendet anëtare të BE-së apo nga ndonjë vend kyç në Afrikë, Amerikën Latine apo Azi, që mund të sillnin një zhbllokim në procesin e njohjeve. Ajo nga Izraeli në këtë kuptim është vetëm për bukuri. E pas më shumë se 100 njohjeve, le të kujdesemi për diçka më thelbësore.