Kosova hedh poshtë pretendimet ruse për “rekrutim të mercenarëve” për Ukrainë

Prishtinë, 21 shkurt 2022 – Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet e zyrtarëve të Rusisë se në Kosovë, Shqipëri e Bosnjë e Hercegovinë po bëhet “rekrutim i mercenarëve”, që do të merrnin pjesë në luftimet në rajonin e Donbasit, në Ukrainë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

“Ua bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla”, thuhet më tutje  në deklaratë.

“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Kjo ministri shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre. Ajo bën thirrje për ulje të tensionit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe për shmangien e konfliktit, duke paralajmëruar se konflikti eventual mund të marrë përmasa të paparashikueshme.

“Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, thuhet në mbyllje të deklaratës së Mimnistrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ky reagim vjen pas deklaratës së ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet se në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë po përgatiten “mercenarë” për të shkuar në Ukrainë.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen vatër krimi. Ka terroristë, tregtarë droge. Mercenarët rekrutohen atje për konflikte ushtarake të nxitura nga Shtetet e Bashkuara”, citohet të ketë thënë Lavrov nga agjencia ruse e lajmeve TASS.

(r.m.)