Kosova ka potenciale për prodhimin e energjisë nga dielli dhe nga era

Prishtinë, 6 shkurt 2022 – Në kohën që mbarë bota është në kërkim të burimeve energjetike, edhe në Kosovë ka analiza e diskutime lidhur prodhimin e energjisë elektrike nga burime alternative. Në këto diskutime janë përfshirë edhe ekspertët e fushave të ndryshme, të cilët mendojnë se Kosova ka resurse për prodhimin e energjisë, përveç thëngjillit.

Njohësi i fushës së energjetikës, Lulzim Syla, ka thënë se Kosova ka potenciale që të prodhojë energji nga burimet alternative, më saktë nga dielli dhe nga era.

“Llogaritet se Kosova ka kapacitet të prodhojë mbi 500 megavatë energji solare”, ka deklaruar Syla për RTK-në.

Ai ka thënë se investimet në kapacitetet prodhuese të energjisë nga këto burime nuk janë edhe aq të kushtueshme.

“Energjia solare, në aspektin financiar, është jashtëzakonisht e pranueshme dhe i pranueshëm është edhe kthimi i investimit te bizneset. Edhe familjeve që shpenzojnë më shumë se 1 mijë kilovat, ne i kemi sugjeruar Qeverisë që t’ua mundësojë të investojnë në panele solare”, ka thënë ai.

Sipas ekspertit të ujërave, Afrim Lajçi, Kosova ka ende potenciale për prodhimin e energjisë nga ujërat, por ato janë modeste.

“Kemi kapacitete hidroenergjetike mjaft modeste dhe të njëjtat janë shfrytëzuar në masë të konsiderueshme në hidrocentralet që janë ndërtuar tashmë”, ka deklaruar Lajçi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka lëshuar disa licenca për ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë nga era dhe nga dielli.

(r.m.)

Comment

*