Kosova kërkon integrim të shpejtë në strukturat euro-atlantike

Prishtinë, 5 mars 2022 – Udhëheqësit e Kosovës thanë të shtunën se anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik dhe i domosdoshëm, meqë kërcënimet ndaj lirisë tashmë janë realitet, pas sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, që ka nxitur edhe shqetësimet për mundësinë e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Këto komente u bënë gjatë një parakalimi të Forcës së Sigurisë në kazermën që mban emrin Adem Jashari, me të cilin filluan manifestimet treditëshe në përkujtim të 24 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, që shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë.

Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në këtë fshat. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën 54 anëtarë të familjes. Dhjetë vjet pas asaj beteje Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Presidentja Osmani tha se Kosova duhet të rrisë përkushtimin për ushtrinë në një kohë ta pasigurisë që e ka mbërthyer kontinentin evropian.

“Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë në Evropë. Ne i njohim edhe sot vuajtjet e tyre dhe i njohim gjithnjë e më shumë ata që synojnë hegjemoninë. Kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe për vigjilencë sepse siç nuk ka luftë të përhershme, nuk ka as paqe të përhershme. Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t’i dalim zot kurdo e kudo”, tha ajo.

Kryeministri, Albin Kurti tha se pushtimi i Ukrainës ka rritur edhe më shumë rëndësinë dhe vlerën e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse Ukraina nuk do të rezistonte, edhe uniteti i drejtë perëndimor nuk do të ishte i mundur. Vullneti ukrainas do ta bëjë të mundur progresivisht kthjelltësinë e shprehjes botërore. Pra vullneti i Ukrainës do ta përcaktojë njëjësinë e subjektivitetit të saj sovran me subjektivitetin demokratik perëndimor. Njësimi i vullnetit të Ukrainës me subjektivitetin e saj do të rrisë mbështetjen botërore dhe qartësinë e kësaj mbështetje, duke i dhënë botës një drejtësi më të pjekur e afatgjatë”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se shqiptarët janë aleatët e Evropës, e cila sipas tij, duhet të përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Sot, koha e neutralitetit mori fund. Neutraliteti nuk bën pjesë në politikë, por vetëm në diplomacinë pa politikë e pa parime. Ndaj ne nuk ngutemi. Në çdo akt tonin diplomatik ne synojmë të vendosim sa më shumë përgjegjësi të politikës dhe të publikes. Institucionet e Evropës duhet të nguten. Ne duhet të integrohemi në vetvete demokratikisht, dhe kjo kushtëzohet e lehtësohet në masën dhe shpejtësinë me të cilën na integron Bashkimi Evropian. Një popull që ka epope çlirimtarësh, nuk do të duhej të kishte epope refugjatësh, por vetëm epope integrimesh”, tha ai.

Kosova tashmë ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe u është bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Kremlinit.

(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)