Kosova në 2021 – Vit zgjedhjesh e tensionesh me Serbinë

Zgjedhjet për pushtetin qendror dhe atë komunal, tensionet e larta me Serbinë dhe pandemia e COVID-19, karakterizuan vitin 2021 në Kosovë.

Në fillim të janarit parlamenti u shpërnda dhe më 14 shkurt Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani, i cilësuan zgjedhjet një referendum.

Rruga përpara është e gjatë. Do të kemi pengesa dhe do të bëjmë ndonjë gabim. Por, qëllimin e kemi të mirë e fisnik dhe unë çdoherë do të jem i hapur me ju dhe përherë do të argumentojmë dhe arsyetojmë secilin vendim”, tha zoti Kurti.

Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët, kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësinë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, tha zonja Osmani.

Zoti Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës më 22 mars.

Me 4 prill, parlamenti i Kosovës zgjodhi me 71 vota zonjën Vjosa Osmani presidente të re të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, duke shmangur një krizë politike që dukej në horizont, e që mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova mbajti zgjedhjet për pushtetin komunal, që u panë si sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen e tij.

Rezultatet e tyre dolën më ndryshe nga ato të zgjedhjeve të përgjithshme. Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, fitoi në gjithsej katër komuna dhe humbi në Prishtinë, ku fituese doli Lidhja Demokratike e Kosovës.

Bisedimet me Serbinë – përparim i paktë, tensione të larta

Kundërshtar i rreptë i zhvillimeve në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, kryeministri Kurti tha pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit se bisedimet nuk janë përparësi e tij.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës pak ditë pas zgjedhjeve, ai tha se nuk e do shmangien e bisedimeve e as nënçmimin e rëndësisë së tyre, por…“në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë. Unë do të mund ta bëjë, le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet”, tha ai.

Me 15 qershor kryeministri Kurti takoi për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve.

Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë t’i kontribuojmë, paqes e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, tha ai.

Pala serbe nuk i ka pranuar propozimet e kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”.

Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se angazhimi i sinqertë i të dyja palëve është i domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe se ka një mundësi të re në Evropë për Ballkanin Perëndimor, që duhet shfrytëzuar.

Qëndrueshmëria afatgjatë dhe përparimi ekonomik, do të rrezikoheshin pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Borrell.

Të dy udhëheqësit u takuan për herë të dytë më 19 korrik por nuk pati asnjë përparim.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, e quajti takimin të vështirë që, sipas tij “demonstroi qasje shumë të ndryshme të palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”. Ai paralajmëroi se muaji shtator mund të jetë periudhë e re takimesh.

Por, shtatori, u përshkua me tensione të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Më 20 shtator autoritetet në Kosovë vendosën që makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë, një masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi.

Fillimi i zbatimit të kësaj mase nxiti zemërim në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe grupe qytetarësh bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju siguroj që veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë, nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse, dje, sot por edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga unë si kryeministër i saj”, tha kryeministri Kurti.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe u vunë në lëvizje për të gjetur një zgjidhje për situatën.

Palët u morën vesh më 29 në Bruksel për largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare, që forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë dhe që një grup punues të gjejë një zgjidhje të përhershme për përdorimin e targave brenda gjashtë muajsh.

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, që ishte pjesë e diskutimeve tha se marrëveshja paraqet një sukses të rëndësishëm.

Bisedimet e drejtuara nga Bashkimi Evropian janë vendi për të gjetur zgjidhjet”, tha ai, duke nënvizuar se “partneriteti ndërmjet Shteteve te Bashkuara dhe bllokut evropian mund të ndihmojë Ballkanin që në fund të jetë më i integruar në BE”.

Dy ditë më pas filloi zbatimi i marrëveshjes në terren.

Por, pak ditë më vonë, dhjetë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb mbetën të plagosur gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës, që kundërshtuan një operacion në shkallë të gjerë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në disa qytete.

Policia tha se operacioni u zhvillua pa ndonjë problem në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut, ndërsa ajo hasi në rezistencë në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha që nëse fuqitë perëndimore dështojnë të mbrojnë serbët, këtë do të bëjë Serbia.

Tensionet e larta thelluan hendekun edhe ashtu të thellë mes palëve dhe shuan shpresat e Bashkimit Evropian për një takim të ri të nivelit më të lartë politik. Beogradi ngulë këmbë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.

Unë jam demokrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të jenë aty për të kënaqur një politikan, për t’i shpëtuar lëkurën atij apo fytyrën e një politikani tjetër, por për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve. Kam frikë se ky asociacion i komunave me shumicë serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, tha kryeministri Kurti.

Më duhet të them se unë jam demokrat po ashtu dhe nuk jam këtu t’i shërbej asnjë politikani të cilësdo palë. Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në kuadër të bisedimeve. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar, por kjo është shumë e rëndësishme”, tha Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së.

Vëzhguesit nuk presin ndonjë rezultat nga bisedimet, të paktën jo para pranverës së vitit 2022, kur Serbi mbanë zgjedhjet parlamentare e presidenciale.

Beogradi kundërshton pavarësinë e Kosovës, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në shkëmbim të afrimit më strukturat e Bashkimit Evropian.

Por, ndërsa Beogradi hapi në dhjetor kapituj të ri të negociatave për anëtarësim, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë pa viza në Evropën Perëndimore, ndonëse një mundësi e tille u është premtuar vite më parë.

Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Me 1 shkurt në një ceremoni virtuale, ministrja e Jashtme e Kosovës në atë kohë, Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, hodhën firmat në marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve.

Më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump. Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Në muajin mars Kosova hapi ambasadën në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hapi misionin e saj diplomatik në atë qytet.

Me 1 gusht Kosova ndau Medalje Presidenciale për Beau Biden, të birin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden.

Beau ishte 46 vjeçar kur vdiq në vitin 2015. Pas luftës në Kosovë ai kishte punuar si këshilltar ligjor në kuadër të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për ngritjen e sistemit të drejtësisë në vendin e rrënuar nga lufta.

Presidenti amerikan Joe Biden, në një video mesazh u shpreh mirënjohës për njohjen e trashëgimisë së të birit. Ai tha se duke e pranuar medaljen, njeh edhe përparimin e arritur në 20 vitet e fundit në Kosovë, por, tërhoqi vërejtjen se ka punë për të bërë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me vendet fqinje dhe për zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës në këtë punë, në mënyrë që të dëshmojmë së bashku se demokracitë mund t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve”, tha presidenti Biden.

Medalja është një nga shenjat me të cilat shprehet mirënjohja për rolin e pazëvendësueshëm amerikan në të gjitha proceset politike në Kosovë.

Kriza energjetike

Opozita në Kosovë kritikoi në shumë raste qeverinë për qëndrime që nuk përkojnë me orientimin pro amerikan të vendit. Kritikat u shpeshtuan pas vendimit të qeverisë për të mos çuar përpara një projekt për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Opozita kërkoi që të mos hiqet dorë nga projekti.

“Nuk e di se si do të veproni në të ardhmen kryeministër edhe si do të kërkoni ju nga aleatët tanë mbështetje për energjinë, nëse pa asnjë argument pra, keni hedhur poshtë gjithë këtë përpjekje edhe investim të kohës, kapaciteteve, resurseve humane, financiare për zgjidhjen ideale që na është ofruar, duke i njohur parashikimet për sigurinë energjetike për të ardhmen jo shumë të largët, pra për vështirësitë që do të ketë i gjithë rajoni”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Refuzimin e këtij projekti nuk kanë me të falë qytetarët, pra sot po ju bëni dëmin më të madh të mundshëm qytetarëve, gjeneratave të ardhshme me pozicionin politik çfarë e ke marr karshi këtij projekti tepër të rëndësishëm. Edhe njëherë po e them, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur projekt më të rëndësishëm edhe për sigurinë por edhe ekonominë tonë”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Nuk është as aleanca as partneriteti i SHBA-së, as ai i sigurisë kombëtare e i mbrojtjes së shtetit, në njërën anë dhe as ai ekonomik e zhvillimor në anën tjetër, i varur për një pe. Nuk qëndron aleanca dhe partneriteti ynë e varur në penj që tash mund të shkëputet shumë shpejt prandaj unë ju lus të gjithëve që të keni më shumë besim në aleancën dhe partneritetin me SHBA-në, sepse ky besim i juaji u ndihmon të gjithëve, por nuk mund të lëkundet aleanca dhe partneriteti i tillë sepse tash veç sa është forcuar me qasjen tonë parimore dhe me planet tona afatmesme dhe afatgjata”, tha kryeministri Kurti.

Debatet për gazsjellësin i paraprinë një periudhe të vështirë të furnizimit me energji elektrike në vendin që është i varur nga termocentralet me qymyr qw llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit.

Parlamenti i Kosovës miratoi në fund të dhjetorit vendimin e qeverisë për të shpallur gjendjen emergjente të furnizimit me energji elektrike, ndërsa opozita tha se qeveria po synon të legalizojë ndërprerjen e energjisë elektrike për qytetarët dhe e kritikoi atë për mosveprim të mëhershëm në përballje me krizën energjetike, të paralajmëruar që në fillim të vjeshtës.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike të Kosovës për të importuar energji elektrike, ndërsa ka arsyetuar ndërprerjen e energjisë me kushtin që të mos rritet çmimi i saj për qytetarët.

Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërsa prodhimi vendas arrin në rreth 600 megavat orë energji, kërkesat akne arritur në afro 1 mijë e 400 megavat.

Kriza energjetike botërore ka shkaktuar rritje të madhe të çmimeve dhe nëse një vit me parë një megavat orë energji mund të blihej me 69 euro, në fund të vitit 2021 çmimi arriti në rreth 600 euro, afërsisht 680 dollarë amerikan.

Strehimi i refugjatëve afganë

Mbi një mijë e 300 shtetas afganë u strehuan në Kosovë që nga fundi i muajit gusht, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan. Shumica e tyre ishin gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara i shprehën mirënjohje Kosovës për strehimin e përkohshëm qytetarëve afganë, më shumë se gjysma e të cilëve janë larguar në disa fluturime drejt Shteteve të Bashkuara për të filluar një jetë të re.

Kosova dhe Ballkani i Hapur

Kosova refuzoi të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur, që u hodh nga kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe tashmw ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në tetor të vitit 2019, fillimisht me emrin “mini-shëngeni” Ballkanik, që sipas tyre synon vendosjen e lëvizjes së lirë për njerëzit, mallrat e shërbimet ndërmjet vendeve të rajonit.

As ndryshimi i emrit, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës e cila nuk pajtohet me nismat që mund të duken si zëvendësim i proceseve integruese evropiane.

Nisma është mbështetur nga zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili theksoi se ajo nuk mund të ketë sukses nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nisma nuk është pranuar nga Mali i Zi dhe Bosnja. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet evropiane.

Në takimin e muajit nëntor të bartësve të nismës, u tha se dyert janë të hapura për Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.

Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”, tha presidenti serb, Vuçiç.

“Çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet, ka rrugën e vet. Ama një gjë duhet ta dini, nëse të gjashtë vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën edhe për Bosnjën do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet tjera”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Pandemia e COVID-19

Në vitin e dytë të përballjes më pandeminë e COVID-19, Kosova shënoi dy periudha të vështira. Në muajin mars u regjistruan 21 mijë infektime dhe 273 vdekje.

Vala e infektimeve kulmoi në muajin gusht, kur si asnjëherë më parë, u raportuan 36 mijë e 461 raste të reja të të prekurve duke e bërë atë periudhën me më së shumti infektime, që nga shfaqja e pandemisë në mesin e muajit mars të vitit 2020. Gjatë atij muaji 238 veta humbën jetën nga pasojat e sëmundjes.

Kosova mori 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca përmes programit COVAX, në fund të muajit mars, duke u bërë vendi i fundit në Evropën Juglindore që nisi këtë proces.

Në fund të majit ministria e Shëndetësisë arriti një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e mbi 1 milion e 200 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19.

Në fillim të shtatorit, Shtetet e Bashkuara i dhuruan Kosovës mbi 503 mijë doza të vaksinës Pfizer, që ishin pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti Joe Biden, në fillim të verës.

Deri në dhjetor Kosova ka vaksinuar më shumë se 60 për qind e popullsisë mbi 18 vjeçe, por muajt e fundit është shënuar rënie e interesimit për t’u vaksinuar, ndërsa autoritetet filluan vaksinimi edhe me dozën përforcuese.

Në fund të dhjetorit autoritetet konfirmuan rastet e para të infektimeve me variantin Omicron të koronavirusit, duke shtuar shqetësimet për një valë të re infektimesh.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*