Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve

Prishtinë, 20 shtator 2021 – Qeveria e Kosovës sot (e hënë) ka marrë vendim për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë në qarkullimin e automjeteve.

Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë nuk mund të hyjnë në territorin e Kosovës. Për të hyrë në Kosovë, automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me tagra të përkohshme (TP), të cilat mund t’i marrin në të gjitha pikat kufitare.

Targat e përkohshme për qarkullim në Kosovë duhet të vendosen në vende të dukshme. Për pajisjen me këto targa, pronarët e automjeteve duhet të paguajnë taksë prej 5 eurosh.

Këto targa vlejnë 60 ditë prej datës së marrjes së tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014.

“MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Menjëherë pas marrjes së vendimit, në vendkalimet kufitare me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës janë dërguar forca të shtuara të policisë.

Ministri Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës do të kujdeset për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, konkretisht për target e automjeteve, si edhe për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

Ai ka njoftuar se më 15 shtator ka skaduar afati për përdorimin e targa të automjeteve të Kosovës me akronimin “KS” dhe se këto targa duhet të zëvendësohen me target me akronimin “RKS”, të cilat janë target e vetme të ligjshme.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe, rrjedhimisht, targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare. Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.

Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

(r.m.)