Kosova nuk mund të hetojë misionin e EULEX-it

Prishtinë, 13 korrik 2021 – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ia pa për të madhe parlamentit të Kosovës që i dha hapësirë ish gjyqtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, Malcom Simmons. për të vazhduar siç tha “fushatën e dezinformimit”.

Reagimi i tij pasoi raportimin e një dite më parë në Komisionin për legjislacion në parlamentin e Kosovës, të ish shefit të gjyqtarëve të misionit të EULEX-it, Malcom Simmons, përgjatë të cilit tha se misioni i EULEX-it është përfshirë edhe në shumë raste të korrupsionit, ndikimit dhe manipulimit.

Zoti Simmons, akuzoi misionin se kishte për qëllim mënjanimin nga skena politike të personave që ishin parë si pengesë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raporti i zotit Simmons ngjalli reagime në Kosovë posaçërisht të ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishin përballur me procese gjyqësore.

Misioni i EULEX-it në Kosovë i hodhi poshtë si të pambështetura, të pavërteta dhe mendime personale pohimet zotitSimmons duke i cilësuar ati si “një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të pengojnë sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe vetë Bashkimin Evropian”.

Në prill të vitit 2015, zyrtarët evropian mbyllën një proces hetimesh katër muajshe mbi dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e Misionit të EULEX-it në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë lavdëroi EUELX-in për refuzimin bindës dhe gjithëpërfshirës të akuzave të paqena. 

Ish gjyqtari, Simmons ka thënë se është i gatshëm të publikojë dokumentet dhe dëshmitë e tij në rast se parlamenti i Kosovës vendos të hap një hetim të plotë për punën e misionit të EULEX-it.

Por, a mund të hetohet puna e EULEX-it?

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se parlamenti i Kosovës i ka duart e lidhura për të hapur çfarëdo hetimi lidhur me pretendimit e zotit Simmons.

“Në radhë të parë, për arsye se Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë një marrëveshje ndërkombëtare përmes të cilës misioni i EULEX-it, stafi vendor dhe ndërkombëtar, kanë imunitet të plotë lidhur me çdo procedurë civile, penale apo administrative ndaj tyre. Në anën e tjetër ka qenë e njohur botërisht se BE-ja i ka zhvilluar disa hetime, disa procedura lidhur me pretendimet jo vetëm të zotit Simmons por edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve tjerë lidhur me dyshimet për korrupsion apo qoftë për keq menaxhim në misionin e EULEX-it”, tha ai.

Zoti Miftaraj thotë se institucionet e Kosovës duhet të mbyllin këtë kapitull me zotin Simmons apo çdo gjyqtar apo prokuror tjetër dhe t’u përmbahen zotimeve dhe detyrimeve ndërkombëtare përballë këtij misioni. Ai thotë se ka vend për kritika për punën e misionit të EULEX-it në Kosovë, por ka edhe përparime.

“Jo vetëm shoqëria civile në Kosovë, jo vetëm publiku në Kosovë por edhe raportet ndërkombëtare e kanë kritikuar këtë mision për shkak të mungesës së rezultateve qoftë në luftën kundër krimit të organizuar, qoftë korrupsionit të nivelit të lartë. Sidoqoftë. nuk duhet humbur meritat e EULEX-it në forcimin e institucioneve të Kosovës, flas këtu gjyqtarë, prokurorë, policë, shërbim korrektues, do të thotë ajo komponentë e këtij misioni për të specializuar për të ndarë përvojat e tyre me institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë është diçka që nuk mund të humbet dhe nuk mund të merret nga askush”, tha zoti Miftaraj.

EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*