Kosova shënon 14 vjetorin e hyrjes së NATO-s

Prishtinë, 12 qershor 2013 – Sot 14 vjet në Kosovë kishin hyrë pjesëtarët e njësive të këmbësorisë të misionit paqësor të NATO-s, KFOR. Qendrat televizive botërore kishin transmetuar atë ditë pamje të paharrueshme nga Kosova: brohoritje “NATO, NATO, NATO…”, duartrokitje, hedhje lulesh, përqafime mirënjohjeje e miradie për ushtarët…

Shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë, duke u fshehur nëpër skuta të errëta e nëpër bodrume të lagështa, nuk i përmbanin dot lotët e gëzimit… Ata po shprehnin kështu gëzimin për vendosjen e forcës paqeruajtës të Aleancës Veriatlantike,  pjesëtarët e të cilës u pritën si shpëtimtarët, si çlirimtarët.

Atë ditë ata e panë dritën e diellit, jo vetëm simbolikisht, dhe e quajtën Dita e Çlirimit.

Katër vjet më vonë Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, edhe zyrtarisht, e shpalli 12 Qershorin – Ditë të Lirisë së Kosovës.

« Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike », shkruante Rugova në vitin 2002, në mesazhin drejtuar qytetarëve me rastin e shënimit të tre-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s.

Çdo vit, në Ditën e Lirisë, ai ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për strukturën drejtuese politike e ushtarake të NATO-s dhe për ushtarët e saj.

Në pesëvjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, Presidenti Rugova ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të shquara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për lirin e Kosovës, përshirë edhe komandën e NATO-s në Bruksel dhe komandën e KFOR-it në Kosovë. Të gjithë komandantët e këtij misioni në Kosovë janë dekoruar në përfundim të shërbimit të tyre në Prishtinë.

Prej 12 qershorit të vitit 1999 e deri më sot, në Kosovë kanë ndodhur shumë ngjarje, historike për qytetarët e Kosovës, por ato nuk e kanë lënë aspak në harresë ndërhyrjen e NATO-s dhe vendosjen e misionit paqësor të saj në Kosovë.

Kjo ndërhyrje sot në botë është bërë praktikë e zakonshme e Aleancës Veriatlantike në përpjekje për mbrojtjen e popullsisë civile dhe për vendosjen e ruajtjen e paqes në vatrat e krizës.

Misioni i NATO-s në Kosovë sot nuk ka funksionin e forcës paqeruajtëse. Krahas ruajtjes së paqes dhe integritetit territorial të Kosovës, ky mision sot ka edhe funksionin e mekanizmit që ndihmon edhe vendosjen e rendit e ligjit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Komanda e misionit ka konfirmuar vullnetin që të angazhohet për zbatimin në terren të pikave të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë që kanë të bëjnë me çështje të rendit e të sigurisë.

R.M.

Comment

*