Kosova, temë kryesore në pragfushatën zgjedhore

Të gjitha partitë në Shqipëri qofshin në opozitë apo qeveri i japin mbështetjen e vazhdueshme Kosovës – Opozita premtoi marrëdhënie të re me Kosovën kur të marrë pushtetin. Kurse, qeveria tha se qëndrimet për miqësi me Kosovën janë të pakuptimta pasi shqiptarët janë vëllezër

 

Denion Ndrenika

Qeveria dhe opozita socialiste e kanë kthyer Kosovën në çështje dite, ndonëse fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit ende nuk ka nisur zyrtarisht. Kryetari socialist Edi Rama tha se me ardhjen në pushtet, do të ketë tjetër qasje të Shqipërisë për Kosovën: “Besojmë se duke i dhënës cilësi të re integrimit dhe demokracisë në Shqipëri mund të mbështesim Kosovën më mirë qoftë për liberalizimin e vizave dhe njohjen nga 5 shtetet. Me ne në qeverisje Kosova do ketë një status të ri, status strategjik në politikën e Jashtme të Shqipërisë, përmes një traktati mbledhjesh të përbashkëta qeverie ku të thellojmë strategjitë e bashkëpunimit në planin ekonomik, politik dhe social. Komitet ndërshtetëror, për legjislacionin tregtar me njëri tjetrin dhe me Bashkimin Evropian, dhe për të përfituar nga një proces i asocimit, integrimit dhe anëtarësimit në BE”.
Sipas zotit Rama, Kosova është shembull se si ndryshojnë gjërat. “Historia e re e shqiptarëve në rajon dhe e Kosovës si shtet i ri në Evropë është shembull i jashtëzakonshëm që ka politika për të ndryshuar gjërat dhe i shpejtësisë si mund të ndryshojnë gjërat”-tha Kryesocialisti në takimin me temë “Shqipëria evropiane në rajon e botë”. Ai u ndal edhe te këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës ndaj PS-së: “Duke ushqyer përçarje të patolerueshme të shqiptarëve të Kosovës ndaj Shqipërisë dhe Partisë Socialiste, përmes shpifjesh dhe organizmi të përqendruar për të deformuar realitetin në Shqipëri, ku Rruga e Kombit u bë motivi i nxitjes së kësaj përçarjeje dhe të një mllefi. Shqipëria nuk mundet që nga njera anë të predikojë kohën e re të paqes së rajonit dhe nga ana tjetër të ushqejë fantazmën e vjetër të nacionalizmit ballkanik”.
Zoti Rama shtoi gjithashtu se PS në qeverinë e ardshme do të jetë një cilësi e re për integrimin dhe për angazhimin në njohjen e Kosovës. “Ne dhe Kosova duam të integrohemi në Bashkimin Evropian si anëtarë me të drejta të plota dhe qytetarët tanë të gëzojnë liri dhe të drejta të plota. Për të qenë partnerë seriozë nuk mund që të ushqejmë fantazmën e nacionalizmit dhe të vidhen zgjedhjet. Partneriteti me SHBA dhe BE është në funksion të një Shqipërie demokratike”.
Mirëpo, ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi reagoi menjëherë dhe tha se zoti Rama mund të paragjykohet në Kosovë për shkak të disa deklaratave të pakuptimta për miqësi, kur shqiptarët janë vëllezër. Sipas ministrit Bumçi, politika e bllokimit të reformave, integrimit dhe dialogut janë qartazi përgjegjësi e kryetarit të opozitës socialiste. Ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi dha deklaratë të posaçme për mediat: “Zoti Rama ka anatemuar dhe përbaltur Rrugën e Kombit. Ndoshta zoti Rama paragjykohet sot në Kosovë, prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionit ndaj institucioneve demokratike të vendit. Prej bllokimit që i ka bërë statusit të vendit “kandidat” dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Ndoshta ai paragjykohet se del me deklarata për miqësi të mirë me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këtej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë se sa miqësia e re që dashkërka të na ndërtojë zoti Rama”.
Megjithë mospajtimet për politikën e Jashtme, qeveria dhe opozita janë bashkuar në mbështetjen e Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes historike me Serbinë pas dialogut mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç me garantimin e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Lidhur me Kosovën dhe me integrimin, kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në rrjetin shoqëror “facebook” shrkuante: “Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi “Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarë si ky! 23 qershori po vjen. Shqiptarët do të votojnë për të shembur murin e bllokimit për të ardhmen e tyre europiane. Me zbatimin e saj, marrëveshja e Ksoovës me Serbinë përbën bazën e normalizimit të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve të pavarura dhe çel rrugën që këto dy vende, por edhe serbët dhe shqiptarët në tërësi, të nisin një epoke të re në marrëdhëniet midis tyre, në interes të të ardhmes së tyre europiane”
Politika në Shqipëri përshëndeti marrëveshjen që u arrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Opozita dhe qeveria nuk e fshehën entuziazmin për marrëveshjen që e vlerësuan si historike. Zoti Berisha përgëzoi palët për vendosmërinë, kurajën dhe vizionin e treguar si dhe ndërmjetësimin e aftë të Baroneshës Ketrin Eshtën, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme e Siguri në udhëheqjen e dialogut mes kryeministrave të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Serbisë, Ivica Daçiç. Ministria e Jashtme vlerësoi se marrëveshja hap kapitullin e ri të bashkëpunimit e mirëkuptimit dhe se mirëpret zbatimin me kurajë dhe vendosmëri. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se ndihemi krenarë për Kosovën, që siç u shpreh se fitoi luftën dhe tani edhe paqen me dinjitet. Sipas zotit Rama, marrëveshja Kosovë-Serbi u arrit falë një lidershipi vizionar. Për kryetarin socialist Rama me këtë marrëveshje më në fund edhe Serbia bëri gjënë e duhur. Marrëveshja u përshëndet edhe ministrat e Jashtëm të mëparshëm të Shqipërisë.