Kosova vendos reciprocitet në qarkullimin ndërkufitar me Serbinë 

Prishtinë, 29 qershor 2022 – Qeveria e Kosovës vendosi për aplikimin e masës së reciprocitetit në qarkullimin e qytetarëve të Serbisë në Kosovë.

Sipas vendimit që u mor të mërkuren, qytetarët me dokumente personale të lëshuara në Serbi që hyjnë në Kosovë do të pajisen në pikat e kufirit me një fletë-deklarim që e zëvendëson përdorimin e dokumentit personal gjatë qëndrimit në Kosovë.

Në vendim thuhet se “… çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore’, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës aplikon praktikën që në Serbi aplikohet qysh prej fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, të nënshkruar në kuadrin e dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.

Qytetarët me dokumente personale të lëshuara në Kosovë, me rastin e hyrjes në Serbi, nga autoritetet serbe në pikat kufitare pajisen me dëshmi se kanë dokumente personale valide. Kjo dëshmi, e cila përdoret në Serbi si dokument personal identifikimi, vlen dy muaj nga dita e lëshimit.

Autoritetet e Kosovës deri më sot nuk e kanë zbatuar këtë marrëveshje, kështuqë qytetarët me dokumente personale të lëshuara në Serbi kanë hyrë dhe kanë qëndruar në Kosovë me të njëjtat dokumente.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vazhdimin e reciprocitetit me Serbinë edhe lidhur me target e automjeteve. Sipas këtij vendimi, simbolet e shtetërore të Serbisë në target e automjeteve të regjistruara në Serbi do të mbulohen me ngjitës. Kjo praktikë, e cila konsiderohet e përkohshme, do të jetë në fuqi deri më 31 tetor 2022.

Ndërkohë, në Bruksel pritet të vazhdojnë negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për target e automjeteve midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)