Kosovarët rrisin rezervat devizore të Maqedonisë

Zejnulla Veseli

SHKUP, 6 qershor – Rezervat devizore më Bankën Popullore të Maqedonisë (BPM) për çerekun e parë të këtij viti ka arritur totalin prej rreth 2.3 miliard euro. Sipas të dhënave zyrtare të BPM-së në rritjen e rezervave devizore rol të rëndësishëm kanë luajtur remintencat e emigrantëve shqiptarë të cilët vitin që lamë pas në vendlindje kanë dërguar para në vlerë mbi 1 miliard euro. Ndërkaq për çerekun e parë e parë të këtij viti këmbimorët në Maqedoni i kanë shitur BPM-së rreth 800 milion euro. Efektiva apo keshi përmes këmbimoreve në vlerë prej 524 milion janë para të diasporës ndërsa pjesa tjetër jo zyrtarisht llogariten të jenë para të tregtarëve kosovar dhe të kosovarëve që pothuajse çdo ditë vijnë nga Kosova për shoping në Maqedoni.
Për gjatë tre muajve të parë në tregun devizor të Maqedonisë, këmbimoret informojnë se ka pasur më shumë të hyra në deviza për çka disa herë kanë pasur probleme me bankën e cila nuk ka dashur t’ju blejë tepricën e sasive të devizave. Sipas këmbimorëve në Maqedoni por edhe të dhënave të BPM-së në muajin janar këbimoret bankave u kanë shitur deviza në vlerë prej 362 milion euro ndërsa në shkurt 469 milion. Kjo sasi kaq e lartë e devizave në tregun e Maqedonisë sipas ekspertëve është si pasojë e tregëtimit të kosovarëve përmes të hollave (keshit).
“Ky fakt mund të sqarohet vetëm përmes dy gjërave. E para rritjen e devizave në tregun e Maqedonisë e bëjnë qytetarët kosovarë që për çdo ditë vijnë në Maqedoni për shoping si dhe e dyta shumë biznesmenë kosovarë tregtimin në Maqedoni e bëjnë në kesh e jo përmes transferteve bankare” thonë ekspertët.
Ky lloj tregëtimi sipas ekspertëve përmes rrugëve informale ka efekte pozitive në rritjen e rezervave devizore por ka dhe anën negative sa i përket ikjes së pagesave të tatimit që bën të kemi më pak të hyra në buxhet.
Edhe përkundër faktit se sistemi financiar në Kosovë nuk është në tërësi i formuar sipas kryetarit të qendrës për zhvillim të sipërmarrjeve në Kosovë, Jovan Maxhovski, pagesat bankare në Kosovë funksionojnë mirë.
“Mirëpo firmat kosovare parapëlqejnë të paguajnë kesh kur blejnë në Maqedoni, Kroaci apo Shqipëri. Pikërisht kjo mënyrë e tregtimit të biznesmenëve shqiptarë ka bërë që shumë kompani maqedone të hapin përfaqësitë e tyre me qëllim të shmangies së pagesave kesh” thotë Maxhoski.
Kosova është partneri më madh tregtar i Maqedonisë. Sipas vëllimit të përgjithshëm tregtar, Kosova është në vendit e dytë për blerje të mallrave nga Maqedonia. Këmbimi tregtar midis Kosovës dhe Maqedonisë është më i madh se me Kroacinë, Slloveninë, Turqinë apo muajt e fundit edhe me Italinë.
Maqedonia që nga nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Kosovën, për çdo vit ka suficit të lartë të këmbimit tregtar me Kosovën. Sipas të dhënave të entit statistikor për periudhën janar-prill të këtij viti, kompanitë nga Maqedonia në tregun kosovar kanë eksportuar mall me vlerë prej165 milionë dollarë, që paraqet rritje prej 30,6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Në drejtimin e kundërt, kompanitë kosovare në Maqedoni kanë shënuar eksport me vlerë 10 milionë dollarë.
Vitin e kaluar Maqedonia e ka rrumbullaksuar këmbimin tregtar me suficit prej 415,7 milionë dollarë. Duke u bazuar në të dhëna nga Enti për statistikë, thuhet se rritje e madhe është shënuar te eksporti i prodhimeve të caktuara, siç janë pemët, birra, prodhime nga mishi, orizi, ushqimi për kafshë, mielli, materialet ndërtimore dhe derivatet e naftës. Kjo sipas Entit do të thotë më shumë se gjysma e tregtisë që Maqedoni ka realizuar me vendet e Ballkanit perëndimor e ka me Kosovën.