Kosovarët si investitorë të huaj në Kosovë

Prishtinë, 19 qershor 2022 – Flamur Mavraj dhe Burim Hazrolli vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por ndajnë fatin e njëjtë: të dy janë dëbuar nga shtëpitë gjatë luftës së viteve 1998/99; sot, të dy njihen si afaristë të suksesshëm në vendet që ua kanë hapur dyert si refugjatë.

Mbi dy dekada më parë, familja e Mavrajt nga Istogu është zhvendosur në Norvegji, ndërsa familja e Hazrollit nga Malisheva ka gjetur strehim në Gjermani.

Flamuri është shkolluar në fushën e teknologjisë së informacionit, ndërsa Burimi ka zgjedhur sektorin e ndërtimit dhe prodhimit.

Të dy, prej vitesh, i kanë shtrirë investimet e tyre edhe në Kosovë, por thonë se sfidat për të arritur deri këtu nuk kanë qenë të pakta – nisur nga barrierat në gjuhën e vendit mikpritës deri te një mentalitet ndryshe i tij.

“Si një person në një vend të huaj, sfidë kryesore ka qenë mësimi i gjuhës norvegjeze, pastaj integrimi”, thotë Flamuri, i cili në kohën kur është zhvendosur në Norvegji ka qenë 12 vjeç.

“Jam ndier i huaj edhe aty ku banoja, edhe kur vija në Kosovë”, rrëfen ai për Radion Evropa e Lirë.

Flamuri, sot 35 vjeç, thotë se me kalimin e kohës, e ka kuptuar se dëshiron të orientohet në fushën e teknologjisë së informacionit.

Pas mbarimit të studimeve në Oslo, ai thotë se ka hapur kompani të veten në këtë qytet, në vitin 2006. Nga ajo kohë, thotë se e ka vizituar Kosovën edhe më shpesh, ku ka krijuar kontakte dhe ka marrë pjesë në organizime të ndryshme në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nga viti 2015, kompaninë e tij e ka zgjeruar me një zyrë edhe në Kosovë, ku tani ka të punësuar dhjetë veta.

Sipas tij, tregu i punës në Kosovë, është duke ecur në drejtim të duhur, por mendon se ende ka punë.

“Gjërat nuk ndryshojnë brenda ditës. Ne që jetojmë e veprojmë jashtë vendit presim që (gjërat) të funksionojë në Kosovë njëjtë sic funksionon p.sh në Norvegji, por duhet kuptuar se Kosova është shtet i ri krahasuar me vendet tjera”, thotë ai.

Si investitor i huaj në Kosovë, por me prejardhje shqiptare, Flamuri thotë se ka përparësi, pasi flet gjuhën e njëjtë me punëtorët dhe njeh kulturën dhe mentalitetin e popullit të tij.

“Të gjitha projektet i marrim në Norvegji, e pastaj puna bëhet në Kosovë”, thotë ai.

“Investime deri në 100 milionë euro”

Burimi, në anën tjetër, nga Kosova është zhvendosur në Gjermani si 16-vjeçar. Gjashtë vjet më vonë, ka hapur kompaninë e cila, siç thotë, merret me ndërtimin dhe shitjen e objekteve.

Sot, ajo ka më shumë se 150 të punësuar dhe mbi 100 kompani nënkontraktuese.

Nga viti 2019, biznesin e tij e ka shtrirë edhe në vendlindje.

Kompania e tij në Suharekë prodhon dyer, dritare, fasada strukturale e të tjera, dhe k të punësuar 35 punëtorë.

Ai thotë se deri në 95 për qind e këtyre produkteve eksportohen në vende të ndryshme, ndërsa 5 për qind mbeten për tregun e brendshëm.

Që një produkt i prodhuar në Kosovë të arrijë tregun ndërkombëtare, kompania duhet pajisur me disa certifikata të ndryshme ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë, varësisht nga produktet që prodhojnë.

Burimi thotë se synon të zgjerohet.

“Unë jam duke e hulumtuar tregun dhe këtë vit kam mundësi të hap edhe një fabrikë tjetër. Qëllimi im është që në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm t’I hapë edhe pesë fabrika”, thotë Burimi.

Për të zgjeruar investimet në Kosovë, ai thotë se institucionet duhet të ofrojnë kushte më të mira për investitorët. Ai pretendon se në mesin e diasporës ka të interesuar për të investuar në Kosovë, por, sipas tij, ambienti afarist duhet të jetë më i përshtatshëm.

“Kam sjellë investitorë në Kosovë vite më parë, por kam dështuar. Kam dështuar, sepse në atë kohë kanë kërkuar përqindje në kompani [mito]. Kam pasur rast kur edhe mua më kanë kërkuar përqindje – para 15 vjetësh”, thotë Burimi.

Jo rrallë në Kosovë është thënë se remitencat, apo dërgesat e parave nga diaspora, duhet të orientoheshin në projekte investuese.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliard eurove.

Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, në programin qeverisës për vitet 2021 – 2025 ka paraparë promovimin dhe përkrahjen e investimeve të huaja.

Në këtë aspekt, Qeveria në program ka paraparë që vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes së diasporës në investime.

Sipas programit, kjo do të bëhet me anë të organizimit të konferencave dhe sesioneve informuese, krijimit të fuqizimit të rrjeteve të afarizmit me investitorë potencialë, duke hulumtuar dhe përcaktuar vendet me potencial për të promovuar mundësitë për investime.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në forumin e bizneseve të diasporës të mbajtur muajin e kaluar iu ka bërë thirrje bizneseve të diasporës që të investojnë në Kosovë si një mundësi përfitimi.

“Pra, ejani, kontribuoni dhe fitoni! Nuk jemi në të kaluarën, kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, por për kontribut përmes fitimit, përmes përfitimit, përmes fitimit të dyanshëm, edhe për mërgatën tonë, si qytetarë të vendit tonë e pjesëtarë të kombit tonë, edhe për shtetin tonë demokratik dhe zhvillimit e tij socio-ekonomik”, ka thënë Kurti.

Por, krijimi i një ambienti më të mirë afarist për investitorët e huaj ishte kërkuar vazhdimisht edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë si Banka Botërore.

Një nga vërejtjet e bëra nga Banka Botërore ishin procedurat burokratike.

Në Kosovë, kjo kompani ka projektin “ÇiçavicaWind Farm” për prodhim të energjisë elektrike me erë. Projekti i paraparë në Komunën e Vushtrrisë, e cila gjendet rreth 25 kilometra larg Prishtinës, kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Në dhjetor të vitit të kaluar Radion Evropa e Lirë pati raportuar se kompania franceze për prodhim të energjisë elektrike “Akuo Energy”, as pas tre vjetësh përpjekjeje, nuk kishte arritur t’i përfundojë procedurat për një investim milionësh në Kosovë.

Derisa në shtetin fqinj – Maqedoni të Veriut e njëjta kompani – procedurat e tilla i kishte përfunduar brenda muajsh.

Qeveria në Shkup pati thënë për Radion Evropa e Lirë se procedurat e kompanisë për investime në këtë projekt kishin nisur në 2021 dhe kishin përfunduar brenda disa muajve.

Kompania “Akuo Energy”, për projektin për prodhim të energjisë me erë në Kosovë, kishte nisur procesin e studimit të fizibilitetit dhe studimet e tjera të ambientit qysh në fillim të vitit 2018 dhe procedurat nuk kishin përfunduar në vitin 2021.

Si barriera për investime të huaja në Kosovë janë përmendur shpesh edhe infrastrukturat e komplikuara ligjore dhe pasiguria energjetike.

Në një raport të publikuar në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit për Klimën e Investimeve ka thënë se “një nga problemet që e pengon shkuarjen e investitorëve të huaj në Kosovë është furnizimi jo i besueshëm me energji”.

Korrupsioni është përmendur gjithashtu si pengesë në raportet e Bankës Botërore për të bërët biznes. Ndërsa, në raportin e sivjetmë të organizatës ndërkombëtare Transparency Internationl, të publikuar në janar, është thënë se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, por mbetet në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të kësaj dukurie.

Kosova, nëse krahasohet me vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Serbia, ka shumë më pak investime të huaja.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, në Serbi, në formë të investimeve të huaja gjatë vitit 2020, kanë hyrë 3.4 miliardë dollarë, ndërsa në Shqipëri janë investuar 1.1 miliard dollarë.

(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)