Kosovari vetëvaret në gjykatën e Bordosë, në Francë, refuzoi të kthehej në Kosovë

Bordo (Francë), 20 dhjetor 2021 – Një kosovar, 41 vjeç, i dha fund jetës së tij të mërkurën, duke u vetëvarur në bodrumin e gjykatës në Bordo të Francës. Dy ditë më pare, ai kishte refuzuar të hipte në një aeroplan për t’u kthyer në Kosovë.

Quhej Fitim Uka. Ai ishte 41 vjeç. Ishte kosovar, shkruan Le Monde.

Ai u vetëvar me lidhësen e kapuçit të xhupit të tij. Policia e pastaj edhe zjarrfikësit nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.

Sipas elementëve të parë të hetimit për gjetjen e shkaqeve të vdekjes, të zbuluara nga Prokuroria e Bordosë pikërisht në ditën tragjike, pasdite, 41-vjeçari do të gjykohej me procedure të shpejtë për shmangie  nga ekzekutimi i urdhrit për largim nga Franca.

“Më 13 dhjetor, ai refuzoi të hipte në një fluturim për në Amsterdam e pastaj përnë Prishtinë”, tha avokatja e tij, Abraham Hervé Diompy.

Sipas Prokurorisë së Bordosë, i ndjeri nuk kishte dashur t’i nënshtrohej testit PCR për COVID-19, gjë që ishte kusht për udhëtimin e tij me aeroplan.

“Në moshën 40-vjeçare, të preferojë më shumë të mbyllej në një qeli të ndotur që kundërmon vdekje se sa të kthehej në vendin e tij, nuk mund të imagjinohet” , tha një avokate e qytetit, duke komentuar vetëvrasjen e kosovarit në bodrumin e gjykatës së Bordosë

(r.m.)