Kosovë: mbahet për herë të pestë “parada e krenarisë”

Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës

Në Prishtinë disa qindra veta morën pjesë në paradën e krenarisë, parakalimi i pestë me radhë i këtij lloji që synon mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Me moton, “Të bashkuar dhe krenarë”, pjesëmarrësit parakaluan qendrës së Prishtinës për të përmbyllur me një koncert paradën e organizuar nga shoqatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI.

Lendi Mustafa, tha se ky parakalim është ribashkim i komunitetit pas një viti shumë të vështirë që solli pandemia e COVID-19.

“Është përfundimi i javës së krenarisë, domethënë është parada e krenarisë. Është festë por edhe protestë, është rezistencë ndaj padrejtësive me të cilat jemi përballur deri tash. Jemi ribashkuar edhe një herë pas një viti shumë të vështirë që e ka shkaktuar pandemia, jemi ribashkuar si komunitet për të luftuar për të drejtat tona”, tha ai.

Në paradën e vitit të kaluar organizatorët kishin tërhequr vërejtjen se pabarazitë dhe shkeljet ndaj të drejtave të këtij komuniteti ishin shtuar gjatë pandemisë së COVID-19, meqë shumë të rinj ishin detyruar të kthehen dhe të jetojnë me familjet e tyre prej të cilave janë larguar.

Në paradën e këtij viti pjesëmarrësit ishin nga vende të ndryshme të rajonit e botës. Njëri nga pjesëmarrësit i tha Zërit të Amerikës se ka ardhur nga Maqedonia e Veriut për të mbështetur të drejtat e këtij komuniteti.

“Ne jemi mbledhur këtu për të treguar që edhe ne kemi të drejta dhe që edhe ne mund të dalim jashtë dhe të jetojmë ashtu siç dëshirojmë dhe jo siç dëshirojnë njerëzit tjerë”, tha ai.

“Kjo ditë është shumë me rëndësi për mua sepse përfaqëson komunitetin LGBTI në Kosovë, edhepse ka shumë që nuk e mbështesin në Kosovë, shumë ndihem mirë kur dalin kështu njerëzit”, tha një pjesëmarrëse.

“Nëpërmjet kësaj feste tentojmë të përqojmë mesazhe rreth preokupimeve të komunitetit në përditëshmëri që vijnë nga rrethi dhe vendi ku jetojmë. Tentojmë të japim mesazhin se edhe ne jemi njerëz, jemi njerëz që e dojnë paqen dhe simbol kryesor si komunitet për neve është paqja mbi të gjitha”, tha një tjetër pjesëmarrës.

Kosova ka miratuar që në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBTI thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e këtij komuniteti, që sipas tyre ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Comment

*