Kosovë: Ministri Rexhepi e shfajëson veten

Rexhepi: “Do të shihni se ministri s’ka fare të bëjë me skandalin e pasaportave”

Prishtinë, 30 maj 2013 – Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, është shprehur i bindur se në fund të hetimeve do të dëshmohet se ai nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në rastin e zhdukjes së 1.4 milionë eurove, në “skandalin e pasaportave”.

Rexhepi foli lidhur me këtë temë të enjten, në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Afrim Hoti, i cili i ka sugjeruar ministrit edhe të japë dorëheqje.

Rexhepi ka thënë se ai ka bërë aq sa ka kompetencë, por ka theksuar se ai nuk mund të bëjë punën e organeve të ndjekjes dhe organeve gjyqësore.

“Unë s’jam hetues e as prokuror dhe s’mund ta përshpejtoj procesin gjyqësor dhe të hetimeve. Personalisht, e them edhe publikisht, dua të përfundojë ky proces sa më shpejt. E kur procesi gjyqësor të përfundojë, në fund të tij, do të shihni se ministri s’ka fare të bëjë me këtë rast”, ka thënë Rexhepi.

E dyshuara kryesore lidhur me këtë rast është shpallur shtetasja gjermane Natalie Velija, e cila ishte nënkontraktuese e kompanisë austriake OeSD, që e kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave. Të dyshuar tjerë janë edhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj nga Istogu.