Kosovë: Ministria i fajëson komunat për mosrealizimin e pagave të mësimdhënësve

Prishtinë, 4 tetor 2022 – Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), Arbërie Nagavci, i ka fajësuar komunat për mospagesën e pagave të mësimdhënësve përmjuajin shtator.

Ajo ka thënë se komunat nuk ia kanë dërguar Ministrisë së Financave listat e punëtorëve, duke theksuar se komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar dhe janë punëdhënëse të mësimdhënësve të institucioneve arsimore të këtij niveli.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë’, ka shkruar Nagavci në Facebook.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar ajo.

Ministrja Nagavci e ka fajësuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) për mungesë gatishmërie që të adresohen të gjitha shqetësimet e mësimdhënësve, përfshirë edhe çështjen e pagave të mësimdhënësve që kanë qenë në grevë.

“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer. Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka thënë ajo.

Nagavci i ka bërë këto deklarata një ditë pasi kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se punonjësit e arsimit që kanë qenë në grevë nuk kanë marrë paga për muajin shtator. Ai ka thënë se shërbyesve civilë, të cilët po ashtu kanë qenë në grevë, u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Greva në arsim dhe në administratën publike, në nivelin lokal dhe qendror, ka nisur më 25 gusht të këtij viti dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesë kryesore e grevistëve ka qenë pagesa e 100 eurove shtesë në muaj, derisa të hyjë në fuqi të Ligjit për paga, nga i cili  presin rritje të pagës .

Qeveria e ka nxjerrë në diskutim publik Projektligjin për pagat, i cili pritet të miratohet kah fundi i këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë nga 50 euro shtesë për të gjithë punëtorët e sektorit publik, në kuadër të pakos për mbrojtje nga inflacioni.

(r.m.)