KPA shkarkon prokurorin e Krimeve të Rënda që “cenoi besimin e publikut”

Tiranë, 4 gusht 2021 – Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.

KPA pranoi kërkesën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerit Publik duke zhbërë kështu vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në vendim thuhet se “Hajdarmataj ka cenuar besimin e publikut te sistemit i drejtësisë në një mënyrë të pariparueshme, për këtë arsye vazhdimi i ushtrimit të funksionit të tij do të ishte i papërshtatshëm. Vendoset shkarkimi i tij nga detyra“.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dalë po ashtu në përfundimin se ish-prokurori i Krimeve të Rënda ka mangësi në njohjen e ligjit. Disa nga arsyet e tjera të përmendura nga trupi gjykues ishin pasiviteti në hetimin e çështjeve të rëndësishme si ato të drogës, mangësitë profesionale dhe mos justifikimi i pasurisë.

Më herët, Komisioneri Publik Dariel Sina pretendoi se dy mesazhe telefonike janë dërguar në adresë të një personi të inkrimunuar nga një numër i përdorur nga prokurori. Hajdarmataj e kundërshtoi pretendimin e Komisionerit Publik Dariel Sina, duke pretenduar se numri i telefonit në fjalë nuk është përdorur kurrë nga ai, por i përket një personit tjetër.

Kujtojmë që Hajdarmataj kaloi me sukses shkallën e parë të Vetingut, por ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që i rekomandoi Institucionit të Komisionerit Publik ankimimin e vendimit.

(Panorama.al)

Comment

*