KQZ i rekomandon Kuvendit miratimin e rregullave për financimin e partive politike

Tiranë, 5 tetor 2022 – Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dorëzoi të mërkurën në Kuvend një sërë rekomandimesh për ndryshime të kuadrit ligjor zgjedhor, për riorganizim të administratës zgjedhore, rregulla për financimin e partive dhe mekanizma kontrolli për përdorimin e aseteve publike.

Paketa e propozimeve i adresohet Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

KQZ rekomadon ndryshime që lidhen me mënyrën dhe formën e organizimit të nivelit të dytë e të tretë të administratës zgjedhore duke shkuar drejt një depolitizimi të pjesshëm të tyre.

“Përmirësimet që ne nxisim në lidhje me këtë aspekt, jo domosdoshmërisht ato duhet, apo mund t’i zhveshin partitë nga të drejtat që ato kanë sot në administrimin e zgjedhjeve, përfshi këtu edhe të drejtën për vendimmarrjen nga përfaqësuesit e tyre në këto komisione”- thuhet në letrën e dorëzuar në Kuvend.

E pyetur se cila ishte formula e re e organizimit të komisioneve zgjedhore që propozohej KQZ i tha BIRN-it se nëse Kuvendi do ta kërkonte këto rekomadime do të detajoheshin edhe në formulime konkrete ligjore.

Rregullat për financimin e fushatës zgjedhore KQZ i quan si shumë të rëndësishme për t’u përmirësuar.

“Të përcaktohen rregulla për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median në internet (online), në rrjetet sociale dhe në median e shkruar.Të përcaktohen rregulla në lidhje me financimin dhe fushatën e subjekteve të identifikuara si  “palë të treta’”- u rekomandon KQZ-ja anëtarëve të komsionit të posaçëm

KQZ vë theksin tek gjetja e mekanizmave ligjore që ky institucion të identifikojë rastet kur funksionarët publikë përdorin asetet publike në fushatë dhe përcaktimi shterues i veprimtarive që ndalohen gjatë fushatës.

Me ligjin në fuqi ky institucion gjykon mbi raportimet e bëra nga vetë institucionet publike dhe nuk mund të monitorojë mediatizmin që iu bëhet veprimtarive me karakter publik.

“Kjo situatë e vendos në kushte mosveprimi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të identifikuar veprimtari me karakter publik për të cilat ka detyrim të raportohen, por ndërkohë mbeten të paraportuara”- thuhet në letër.

Në këtë kuadër kërkohet që të sqarohet pjesëmarrja në fushatë apo veprimtari publike e kryebashkiakëve- kandidatë dhe aktet ligjore të qeverisë për dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë para zgjedhjeve vendore.

Komisioneri Celibashi tërheq vëmendjen deputetëve për afatet ligjore duke kërkuar që çdo ndryshim në rregullat e zgjedhjeve vendore, të miratohen sa më shpejt që të jenë në fuqi për zgjedhjet e pranverës 2023.

(Reporter.al)