Krasniqi: Mbrojtja e shtetit është përgjegjësi kombëtare

Prishtinë, 25 shtator 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

“Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por, vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcënim mbi shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë se sulmet ndaj institucioneve të shtetit në veri të Kosovës janë “prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës dhe i ka bërë thirrje qeverisë të marrë masapër sigurinë e pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve. Njëkohësisht, komunitetit ndërkombëtar i ka bërë thirrje që të reagojë ndaj kërcënimeve të Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës.

“Sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës. Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim.

Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht. I bëj thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka theksuar se mbrojtja e shtetit është përgjegjësi kombëtare dhe ka shprehur gatishmërinë e PDK-së për mbëshetjen e qasjes që reflekton përgjegjësinë  për menaxhimin e situatës sëkrijuar në veri të vendit.

“Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri. Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme. Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar:, ka theksuar Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

(r.m.)