Krasniqi në takim me Escobarin: Koordinimi me SHBA-të, alternativë e vetme e Kosovës

Uashington, 17 nëntor 2022 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, njëherësh i Dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Krasniqi ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen e palëkundur të Kosovës në të gjitha fazat e krijimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovë. Ai ka thënë se SHBA-ja i ka dhënë dhe i jep Kosovës mbështetje të vazhdueshme për fuqizim në planin ndërkombëtare, përfshirë synimin për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se në takim me z.Escobar e ka shprehur qëndrimin e partisë që e drejton se koordinimi me SHBA-të është alternativë e vetme e Kosovës.

“Histroria e suksesit të Kosovës, që nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi, është bërë falë koordinimit të ngushtë me SHBA-në”, ka thënë Krasniqi.

“Escobarin e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm. Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se z. Escobari e ka siguruar se PDK-ja do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës, me theks dialogun me Serbinë.

“Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Krasniqi.

Dy ditë më parë, Gabriel Escobar e ka pritur në takim edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

(r.m.)