Kremlini thotë se s’ka plane specifike për takimin Biden-Putin

Moskë, 21 shkurt 2022 – Kremlini e lë të hapur mundësinë e një takimi të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amderikës, Joe Biden, ku do të diskutohej lidhur me krizën e Ukrainës.

Ideja e një takimi dypalësh është propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka zhvilluar bisedime të ndara me të dy liderët, më 20 shkurt.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se dy liderët mund të takohen, nëse vendosin për një gjë të tillë, por shtoi se “është e parakohshme të flasim për plane specifike për një samit”.

“Takimi është i mundshëm nëse liderët konsiderojnë se është i nevojshëm”, tha ai dhe shtoi se nuk “ka plane konkrete” për vendin dhe kohën e mbajtjes së një takimi të tillë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha më 21 shkurt se mirëpret nismën e Macronit dhe shpreson që kjo do të çojë në tërheqjen e trupave ruse që po kërcënojnë shtetin e tij.

“Ne mirëpresim këtë nismë. Ne besojmë se çdo përpjekje që ka për qëllim zgjidhjen diplomatike, ja vlen të provohet”, tha Kuleba.

“Ne shpresojmë që dy presidentët do të dalin nga takimi me një marrëveshje që Rusia të tërheqë trupat e saja nga Ukraina”.

Para samitit, Biden do të marrë pjesë në takimin virtual me liderët e Grupit të Shtatëve (G7), që do të mbahet më 24 shkurt. Në këtë takim do të bisedohet për krizën e shkaktuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia.

Në deklaratën e lëshuar më 21 shkurt, Kremlini tha se Putin dhe Macron, gjatë bisedës së zhvilluar në fundjavë, u pajtuan se ka nevojë për vazhdim të dialogut për Ukrainën, raportoi Interfax.

Më 18 shkurt, presidenti Biden tha se ishte “i bindur” se Putini kishte marrë vendimin për pushtimin e Ukrainës dhe se kjo mund të ndodhte në ditët në vijim. Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të vendosnin sanksione të ashpra ndaj Rusisë, nëse Putini vendos që ta sulmojë Ukrainën.

Rusia aktualisht ka pozicionuar mbi 150,000 trupa luftarake përreth Ukrainën.

Moska ka zemëruar më shumë Ukrainën dhe Perëndimin pasi shkeli premtimin se do të tërheqë trupat kur stërvitjet ushtarake të përfundonin në Bjellorusi. Në vend të kësaj, Rusia dhe Bjellorusia njoftuan se do të zgjasin stërvitjet ushtarake, që fillimisht kishin planifikuar se do të mbaronin më 20 shkurt.

Bjellorusia tha se trupat do të ktheheshin në bazat e tyre “kur të ketë një nevojë objektive për ta bërë një gjë të tillë” dhe kjo do të varej nga tërheqja e forcave të NATO-s nga afërsia e kufijve të Bjellorusisë dhe Rusisë.

Kremlini po kërkon që t’ia ndalojë Ukrainës anëtarësimin e NATO-s dhe ta tërheqë këtë shtet sërish brenda sferës së ndikimit të tij.

Rusia vazhdimisht ka mohuar se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën dhe ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e disa forcave. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë se nuk ka sinjale se po ndodh tërheqja e trupave.

(REL)

Comment

*